Burime pranë organit të akuzës u shprehën se shkak për lirimin e tyre janë bërë disa shkaqe lehtësuese. “Të arrestuarit paraqitën raporte mjekësore për bashkëshortet e prekura nga Covid-i se kanë probleme shëndetësore serioze, se kanë numër të madh bagëtish apo fëmijë të vegjël”, tha një zyrtar i Prokurorisë Mat.
Të gjithë të arrestuarit janë shprehur para trupit gjykues së akuzat ndaj tyre nuk qëndrojnë, por prokurori Abaz Muça ka treguar para Gjykatës foto, përgjime, e prova të tjera që rëndonin pozitën e tyre. Me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Matit, Murat Lleshi, është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie” për shtetasit Afrim Haspepa, Besmir Koleci, Agim Koleci, Albert Koleci, Gestian Koleci dhe Gazmir Gjoçuka.
Ndërkohë, për gjashtë prej të arrestuarve të tjerë është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” pa afat, përkatësisht për shtetasit Gëzim Koleci, Vilson Koleci, Mehmet Koleci, Idajet Koleci, Vilson Koleci dhe Fatjon Doda. Ndërkohë, masat e sigurisë “Arrest me burg” për një afat 30-ditor u caktua ndaj shtetasit Lezan Koleci, 30 ditë, ndërsa për të arrestuarin tjetër, Rasim Xheçuka, është lënë prapa hekurave për një afat 60-ditor. Të arrestuarit mund të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
OPERACIONI
Tri vite hetime për kultivimin e lëndëve narkotike në fshatrat e thella të Matit përfunduan të premten e javës së kaluar me arrestimin e 14 personave, shumica prej të cilëve me lidhje farefisnore. Në këtë aktivitet të paligjshëm ishte përfshirë kryeplaku i fshatit, i cili me ligj është i detyruar të denoncojë parcelat me kanabis sativa, por ishte ai vetë që drejtonte të gjithë aktivitetin e jashtëligjshëm. Të gjithë të arrestuarit janë nga i njëjti fshat, Lami i Madh, Njësia Administrative Derjan, në rrethin e Matit. Duke nisur nga viti 2019, efektivët e Komisariatit të Matit janë ngjitur në fshatin e largët dhe kanë shkulur e djegur qindra rrënjë kanabis sativa, por pa mundur të kapin autorët e kultivimit të tyre. Vlen të theksohet se shumica e të arrestuarve jetojnë në zona të ndryshme të Tiranës, si në Paskuqan, Kamzë dhe në Laprakë, ndërsa kultivonin lëndën narkotike në zonat malore apo bri lumenjve në fshatin e tyre.
Në funksion të këtij procedimi të ndjekur me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Mat, është arritur të provohet me prova dhe fakte bashkëpunimi i këtyre shtetasve që funksiononin në formën e një grupi të mirorganizuar, në kryerjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotikëve në 5 episode, përgjatë periudhës kohore 2019– 2021, ku këta shtetas në zonën malore Lam i Madh kanë kultivuar në kohë dhe vende të ndryshme një sasi bimësh narkotike. Policia sqaroi se janë konstatuar edhe 3633 bimë në proces tharjeje.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se organizator i kësaj veprimtarie është shtetasi Gëzim Koleci, i cili ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të fshatit Lam i Madh, ku nëpërmjet personave të lartpërmendur, me të cilët ka lidhje familjare dhe fisnore, organizonte punën për kultivimin e lëndëve narkotike, përpunimin e saj dhe më pas gjetjen e tregut për shitje, të cilën e siguronte nëpërmjet djemve të tij, Vilson dhe Gestian Koleci, të identifikuar edhe si transportues të saj. Ndaj tyre, Gjykata e Krujës ka vendosur më parë masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, pasi më datë 22.03.2021, në aksin rrugor Fushë Krujë– Laç, iu është sekuestruar sasia prej 6.8 kg lëndë narkotike marijuanë.


