Tenton t’i japë fund lidhjes, por i dashuri në shenjë hakmarrjeje, i dëmton asaj makinën. Ngjarja ndodhi në Elbasan, ndërsa Policia arrestoi 46- vjeçarin, Arian Stafa, për veprat penale të përndjekjes, shkatërrimit të pronës dhe armëmbajtjes.
Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ngjarja ka ndodhur gjatë natës, teksa 27- vjeçarja me inicialet Z.K., kishte parkuar makinën para pallatit të saj.
Por në mëngjes, ajo është njoftuar nga fqinjët e saj, se mjeti ishte dëmtuar gjatë natës. Nga hetimi i kryer nga Policia në vend, nisur edhe nga mekanizmi i ngjarjes së shkaktuar, është dyshuar se kishin të bëjnë me diçka të qëllimshme. Për këtë shkak, i dyshuari i parë ka qenë 46- vjeçari Stafa, me të cilin e reja kishte pasur lidhje disa kohë, por së fundmi, ajo kishte vendosur të ndahej prej tij.
Duket se kërkesa e vajzës nuk është pritur mirë nga 46-vjeçari, i cili përveçse nuk e ka pranuar ndarjen, ka nisur ta përndjekë vajzën. Edhe gjatë ditës së shtunë, ata janë konfliktuar nëpërmjet telefonit, pasi ai i kërkonte asaj të dilte nga banesa dhe të takoheshin. Vajza nuk ka pranuar ta takonte atë e për rrjedhojë dyshohet se ai gjatë natës ka marrë makinën e tij dhe ka goditur për hakmarrje atë të 27-vjeçare.
Policia ka shkuar në banesën e tij dhe e ka ndaluar, ndërsa gjatë kontrollit atij i është gjetur një armë zjarri automatik dhe 126 fishekë model 56 kalibër, 7.62 mm. Gjithashtu, u sekuestruan dhe dy automjetet e përfshira në ngjarje. Policia bën me dije se denoncimin e ka bërë vetë 27- vjeçarja duke deklaruar se 46- vjeçari e ngacmonte pa dëshirën e saj.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Arian Stafa, 46 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në Lagjen “Dyli Haxhire”, me mjetin e tij, ka dëmtuar automjetin në pronësi të shtetases Z.K., 27 vjeçe, banuese në Elbasan. Dëmtimin e mjetit dyshohet ta ketë bërë pasi e ka përndjekur gjatë ditës së shtunë.
Grupi hetimor, gjatë kontrollit të banesës, i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri automatik dhe 126 fishekë, model 56, kalibër 7.62 mm. Gjithashtu, u sekuestruan dhe dy automjetet e përfshira në ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Përndjekja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 121/ a/2, 150 dhe 278/2/3 të Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e dhënë dje nga Policia e Elbasanit.




