Katër persona janë arrestuar deri tani në lidhje me skandalin e publikimit të pagave pak javë më parë. Prokuroria e Tiranës ka lëshuar disa urdhër arreste, por aktualisht janë vënë në pranga vetëm 4 persona, të cilët akuzohen se kanë publikuar të dhënat personale të mbi 650 mijë qytetarëve. Nga të arrestuarit dy prej të tyre janë specialistë të IT te Drejtoria e Tatimeve dhe 2 janë bashkëpunëtorë të tyre. Të arrestuarit kanë patur akses në sistemin e databases dhe kanë shkarkuar të dhënat duke i shpërndarë më pas me file excel-i.
Burime për Report Tv konfirmojnë se një prej të arrestuarve është, Andi Agaraj, i cili akuzohet se ka shpërndarë të dhënat pasi i ka marrë ato nga një kolege e tij në Drejtorinë e Tatimeve. Dy ditë më parë Shqiptarja.com mesoi se prokuroria e Tiranës kishte zbuluar personin që nxori të dhënat e mbi 650 mijë shqiptarëve, i cili është një teknik IT nga brenda Drejtorisë së Tatimeve. Andi Agaraj, teknik IT i Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, në kohën kur ishte ende në qeverisje Partia Demokratike, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014, kur në krye të Tatimeve ishte Briseida Shehaj, e propozuar nga PS, por prej kohësh e lidhur me LSI, me të cilën edhe u kandidua. Sipas burimeve prokuroria ka zbuluar se burimi i informacioneve të mbledhura nga Andi Agaraj ishte një kolege e tij, po ashtu nëpunëse e Tatimeve, e cila çdo muaj mblidhte informacionet mbi pagat e taksapaguesve shqiptarë për t’i shpërndarë në seli të ndryshme rajonale të Tatimeve.
Publikimi i të dhënave nuk ka qenë pjesë e ndonjë sulmi hakërimi, por nga vetë personat brenda institucionit. Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi stabilitetin dhe sigurinë e tyre. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!
Prokuroria e Tiranës tha se dy personat e arrestuar, me profesion IT te drejtoria e tatimeve kanë marrë të dhënat personale dhe ua kanë shitur subjekteve private.
“ Duke marrë si shkak dëmtimin e interesave të shtetasve ku shpërndahen nëpër rrjete sociale, është zhvilluar hetimi dhe janë marrë info nga të gjitha institucioneve, janë sekuestruar servera dhe kompjutera dhe kemi identifikuara 4 autorë ku dy janë punonjësit në drejtorisë së tatimeve dhe nga të cilët ka dyshime që kanë rrjedhur të dhënat personale. Specilaisti i IT te tatimet duke patur akses dhe kanë marrë këto të dhëna dhe më pas i ka shpërndarë këto të dhëna duke ua shitur subjekteve private”, tha prokuroria


