Zbulohen detaje të reja për atentatin e ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në Tiranë, ku një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50. Viktima është Emiljano Boçi 32 vjeç me precedent penal, ndërsa i plagosur ka mbetur M. Disha 27-vjeç.
Boçi dhe shoku i tij u qëlluan me armë zjarri sapo dolën nga një lokal dhe po drejtoheshin për në makinë për t’u larguar.
Emiljano Boçi u dërgua me shpejtësi në spital, por fatkeqësisht ndërruoi jetë, ndërsa M. Disha ka marrë një plumb në shpatull.
Mësohet se viktima ka punuar si shofer tek Drejtoria e Doganave në Tiranë.
Burime për mediat bëjnë me dije se viktimës i është bërë atentat edhe në vitin 2010, por i ka shpëtuar plumbave. Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e ngjarjes, ndërsa policia vijon hetimet.
Viktima kishte dy vite që kishte dalë nga burgu, i cili kishte vuajtur një dënim për plagosje. Gjithashtu bëhet me dije se viktima kishte 3 javë që ishte kthyer nga Gjermania.







