Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë një panoramë të gjerë të situatës së motit në vend. Ai tha për mediat, se deri më tani, janë evakuuar rreth 30 familje, e për fat të mirë, falë argjinaturave të instaluara prej efektivëve të FA, janë parandaluar përmbytjet e mijëra ha tokë.
Peleshi theksoi më tej, se në Urën e Mifolit, uji ka rënë me afro 15 cm, e pritet që deri nesër, duke qenë se nuk ka parashikime për shira, uji të ulet deri në masën 1 metër. Sa i përket rrugëve ai tha se deri më tani nuk ka asnjë të bllokuar, megjithatë strukturat e ngritura prej tyre janë në gatishmëri për monitorimin e situatës.
Kemi pritur prej ditësh përshkallëzim të situatës. Kemi ngritur strukturat e gatishmërisë. Gjatë gjithë ditës kemi qenë në betejë me pasojat e përmbytjes. Rreth 30 familje janë evakuuar për të shmangur rrezikun. Në raste emergjencash kemi të parën jetën e njeriut. Kemi bërë maksimumin dhe s’kemi situata dramatike. Dy investime që janë bërë janë dy argjinatura. E para është ajo e Fitores. Pa ato argjinatura, e me këto nivele të ujit, ne do të kishim mijëra ha tokë të përmbytura. Kemi shpëtuar ato falë këtyre ndërhyrjeve.


