Regan Merdani dhe Ali Agolli, të arrestuar në datën 7 nëntor 2021 me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, janë lënë në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë e qytetit bregdetar. Ata akuzohen për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë Gjykata e Durrësit ka zbutur masën e sigurisë për personat e tjerë që ka hetuar Prokuroria në këtë skemë mashtrimi me TVSH.
Gjykata ka urdhëruar lirimin nga burgu të Enis Xhaferit, ndërsa ka nxjerrë nga qelia me masë “arrest shtëpie” shtetasit Roland Avdo dhe Benn Caka.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës,
VENDOSI:
1. Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” dhënë me vendimin penal të datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj personit nën hetim R.M. i i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal. Personi nën hetim R. M mbetet me masë shtrënguese “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
2. Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” dhënë me vendimin penal të datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj personit nën hetim A.A, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal. Personi nën hetim A.A mbetet me masë shtrënguese “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
3. Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” dhënë me vendimin penal të datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj personit nën hetim R.A, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal.
4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj shtetasit R.A me vendimin e datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e cila do të ekzekutohet në banesën e tij në Tiranë, Njësia Administrative Nr. 7, Rr. “B.I”, ndërtesa Nr. X, hyrja X, Ap. X. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga banesa dhe për raste të veçanta të njoftojë organin procedues.
5. Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” dhënë me vendimin penal të datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj personit nën hetim B.C, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal.
6. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj shtetasit B.C me vendimin e datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e cila do të ekzekutohet në banesën e tij në Tiranë, Njësia Administrative Nr. 5, Rr. “O.M”, Ndërtesa X, Hyrja X. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga banesa dhe për raste të veçanta të njoftojë organin procedues.
7. Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” dhënë me vendimin penal të datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj personit nën hetim E.Xh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal.
8. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj shtetasit E.Xh me vendimin të datës 07.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
9. Urdhërohet personi nën hetim E.Xh të paraqitet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, të Hënën e parë dhe të fundit të çdo muaji, ora 12:00.
10. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.Xh nga salla e gjykimit, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
11. Urdhërohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
12. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit Durrës, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot, në Durrës, më datë 12 Nëntor 2021.
HETIMET E PROKURORISE
Të lartpërmendurit në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë krijuar shoqëri fiktive me qëllim mos pagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohe që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera, të pa deklaruara në organet tatimore, produkte të cilat janë blerë pa dokumente tatimore, si dhe punimet janë kryer nga punonjës të pa regjistruar dhe pa deklaruar në organin tatimor.
Nga aktiviteti kriminal i skemave mashtruese me TV SH-në, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekeve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga mos pagimi i detyrimeve tatimore shuma të mëdha duke shkaktuar një dëm ekonomik e cila përllogaritet në vlerën rreth 6 milion Euro.
Shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri tjetrin nëpërmjet subjekteve private fiktive me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë konsumuar elementë të veprës penale “Krijimi i Skemave Mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a-25 i K.Penal.


