Deri 7-8 vite më parë, humbjet më të mëdha në rrjetin e transmetimit dhe shërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, vinte nga vjedhja e operatorëve familjarë. Rreth 50% e abonentëve familjarë në Shqipëri, nuk paguanin energjinë që konsumonin, duke krijuar një humnerë financiare në Korporatën Eleketroenergjitike Shqiptare “KESH”. Ndërsa tani që në botë ka trokitur kriza e re energjitike, rreziku për vjedhjen e energjisë, vjen nga rrugë të tjera në Shqipëri. Ato janë disa, por dy më kryesoret janë “fermat” e prodhimit të kriptovalutës Bitcoin dhe të ashtëquajturat “shtëpitë e barit”.
Ekzistencën e këtij fenomeni e ka pranuar edhe Administratori i Përgjithëm i OSHEE, Ardian Çela pak ditë më parë kur tha: “Kemi nisur pak më parë investimin, pasi ky shqetësim nuk ka qenë vetëm me Bitcoin por dhe me shtëpitë e barit.”
Në këtë shkrim jemi ndalur sot tek Bitcoin që është një kriptovalutë dhe një sistem pagese në mbarë botën. Eshtë monedha e parë dixhitale e decentralizuar, pasi sistemi funksionon pa një bankë qendrore ose një administrator të vetëm. Ajo çfarë vlen te permendet është se Bitcoin nuk ka vlerë të përcaktuar.
Paraja në të gjithë botën ka letra apo monedha ku mbajnë një numër i cili tregon vlefshmërinë e saj, por Bitcoin nuk funksionon kështu pasi vlera e saj është dixhitale dhe koha ka treguar që një sasi bitcoin-ash mund të ketë vlera shumë të ndryshme brenda një periudhe kohore.
“Tregu” në Shqipëri
Sipas faqes së njohur “Statista , Europa është kthyer në vatrën kryesore për të gjithë individët që merren me këtë biznes, që prej ndalimit total nga ana e Kinës, e cila kishte rreth 78% të gjithë minuesve në botë.
Edhe në Shqipëri interesi është i madh, duke qenë se janë përhapur te shumtë në numër laboratorët me pajisje kompjuterike apo edhe siç quhen “Ferma Bitcoin”. Disa prej këtyre rasteve kanë bërë jo pak bujë në media, teksa jane shoqeruar me arrestime nga Policia.
Kjo ndodh sepse përveç se operojne të pa liçensuar, ata vjedhin edhe energjinë elektrike. Pra, është vjedhja e energjisë elektrike ajo që e bën të paligjshëm aktivitetin, ndërsa mining (procesi i Bitcoinit) është i lejuar në vendin tonë.
Në Shqipëri, sipas ekspertëve, ka shumë biznese të njohura të cilat paguajnë taksa për këtë gjë dhe e bëjnë në mënyrë të ligjshme.
Ata kanë ferma të mëdha me 10-20 paisje e më shumë. Pjesa më e madhe e këtyre paisjeve, sipas disa deshmive, është e zhvilluar në tregun e Kosovës.
Por, vlen të theksohet se ka edhe persona individualë të cilët kanë një 1- 3 paisje të cilët i mbajnë nëpër shtëpi, dyqane apo edhe mjedise familjare.
Rastet e vjedhjes së energjisë
Krijimi i këtyre “fermave” apo laboratorëve duket se shkojnë ngushtë me vjedhjen e energjisë. Duke qenë se harhximi i energjise është i madh, personat “detyrohen” ta vjedhin e pikerisht këtu zbulohen.
Për këtë të fundit, rastet në Shqipëri janë shtuar gjate vitit të fundit dhe tolerimi është 0, shkruan AlpeNews.al
Në qershor, policia e Fierit arrestoi dy persona për prodhim kriptomonedha, fshehje taksash dhe vjedhje energjie. (Pamjet)
Ata janë Fabjo Braçaj 26 vjeç dhe Fatjon Koçi 25 vjeç. Këta persona në bashkëpunim, sipas hetimeve, kanë krijuar “fabrikën” e prodhimit të monedhës elektronike duke kryer aktivitet të palicencuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare, pajisje ndihmëse elektronike etj.
I bujshëm ishte edhe rasti i ndodhur në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku mbeti i vrarë aksidentalisht 27 vjeçari Mehmet Qema.
Pikerisht në lokalin ku ndodhi ngjarja policia gjeti gjatë kontrollit edhe një pajisje për të prodhuar online kriptomonedhën Bitcoin. Kjo ka bërë që në këtë ngjarje të përfshihet edhe struktura e Anti Krimit Ekonomik. Pajisja ishte e instaluar në ambientet e lokalit, që ishte marrë me qira nga autori i vrasjes Marjus Dema.
Mediat raportuan se lidhja ishte bërë ilegale dhe se biznesi nuk ishte i licensuar për prodhimin e kriptovalutës. Çka do të thotë se procesi i prodhimit të Bitcoinit në këtë pikë, bëhej ilegalisht në mënyrë të paligshme dhe u zbulua aksidentalisht.
Si luftohet fenomeni?
Sipas Nr. 1 të OSHEE, z. Ardian Çela “ka nisur puna për montimin e pajisjeve që do arrijnë të zbulojnë vjedhjen e energjisë elektrike për prodhimin e kriptovalutave dhe jemi në fazën e dytë. Po vendosim smart fider, dhe është 1 km i gjatë. Duke kaluar në fazën e monitorimit të kabinave, ngushtojmë rrethin e kërkimit. Kemi konstatuar dy ferma Bitcoini, një në Tiranë dhe një në Fushë-Krujë, është një betejë e përditshme dhe jo vetëm me Bitcoinin, por me cilindo që bën lidhje të paligjshme. Me këtë investimin që është në process dhe me suportin e Exit Bank dhe USAID rezultatet do të jenë më të mira. Kërkojnë investime SMART”,- tha ai.
Me sa duket, Shqipëria krahas zhvillimit social-ekonomik, ka hyrë edhe në një fazë të re cilësisht ndryshe të luftë kundër krimit ekonomik.
AlpeNews.al





