Pas debateve të ashpra politike lidhur me zgjedhjen e kryeprokurores së re të përkohshme Arta Marku, organi i akuzës vijon të jetë në qendër të vëmendje për ‘shkundjen’ që këtij institucioni po i bëhet.
Emisioni “JAVA” në RTSH kishte pikërisht zhvillimet në Prokurori, një prej temave të diskutuara.
Por teksa e gjithë vëmendja është përqendruar te kryeprokurorja e Përkohshme, një informacion i ri është zbuluar për ish-kryeprokurorin Llalla.
“Java” ka zbuluar se ish-kreu i akuzës është me diplomë të falsifikuar.Gazetari Artan Hoxha ka dhënë disa detaje lidhur me diplomën e kryeprokurorit.
“Një nga detajet që janë duke hulumtuar komisionet e vettingut, është fakti që Shqipëria ka pasur një prokuror që ia dimë shkollën e lartë, po nuk e dimë ku e ka bërë shkolën e mesme.
Në shkollë rezulton numri i amzës, por nuk gjenden regjistrat mësimorë.
Vendi i dytë ku nuk gjendet është fakulteti i shkollës së lartë.Në sekretari kanë shkuar dhe nuk e kanë gjetur dosjen.
Dyshohet që Shqipëria ka pasur për 5 vjet një kryeprokuror që nuk ka bërë shkollën e mesme”, tha Hoxha.
Referuar lëvizjeve të fundit në organin e akuzës, gazetari Lorenc Vangjeli deklaroi se emëruesi i përbashkët i të larguarve është se kemi të bëjmë me persona që njihen si njerëz të afërt të ish-kryeprokurorit Llalla.
“Ajo që bie në sy ndryshe nga parashikimet, prokurorja e përkohshme po sillet si prokurore e përhershme.
Lëvizjet janë të shumta, besoj se është vetëm fillimi.Ajo që bie në sy, ka një linjë të qartë.
Të gjithë të larguarit konsiderohen si njerëz të ish-prokurorit të Përgjithshëm dhe kanë qenë në ato pozita si të komanduar”, deklaroi gazetari Lorenc Vangjeli.
Ndëkrohë, këto lëvizje, sipas gazetarit Hoxha, bëhen me bekimin e SHBA-BE.Sipas tij, jemi para një skenari si atij në Rumani e Kroaci kur u godit korrupsioni në nivele të larta.
“Edhe në Rumani, Kroaci etj, është zbatuar i njëjti skenar, është sjellë një prokuror nga periferia, po ndodh i njëjti skenar”, tha ai.


