Epidemiologu Ilir Alimehmeti deklaron se varianti Delta i covid19 ka filluar t’i ngjajë gripit sezonal.
“Delta është qartësisht më i transmetueshëm dhe kjo vihet re edhe te shifrat. Simptomat e para janë të lehta dhe të ngatërrueshëm me çdo virus tjetër. Kjo e maskon këtë virus dhe si rrjedhojë arrin të kamuflohet dhe pacienti e shpërndan atë duke mos treguar kujdes. Kjo variant ka filluar t’i ngjajë klinikisht gripit sezonal”.
Më tej, në një lidhje për A2, ai u shpreh se Shqipëria i ngjan shumë Turqisë për strategjinë që ka përdorur dhe për rrjedhojë duhet ta marrim si shembull, tha epidemiologu.
Teksa foli për situatën epidemiologjike, Alimehmetaj tha se shifrat janë në rritje.
“Shifrat janë qartësisht në rritje, kemi dhe rritje të shtrimeve në spital. Nuk duhet të shohim shumë rastet e reja, por rastet e rënda dhe shtrimet në spital, e sidomos nëse do të kemi mundësi të shohim sa prej tyre e kapërcejnë vaksinën dhe imunitetin njerëzor. Vigjilenca është e rëndësishme të mbahet. Ne nuk e dimë se sa për qind e njerëzve e kanë kaluar koronavirusin apo janë vaksinuar. Duke mos ditur këtë, edhe llogaria me vaksinimin është pak e vështirë të bëhet”.


