Edhe pse ditën e sotme situata e zjarrit mbi Tunelin e Kalimashit është pak më e qetë, disa vatra në këtë zonë vijojnë të jenë problematike. Operacioni i shuarjes së flakëve tani është përqendruar në dy vatrat e zjarrit tek “Laku i Thive” dhe “Qafa e Kumbullës”, në Malin e Rrunës.
Forcat e Emergjencave Civile, shërbimi zjarrfikës Kukës, trupat e ushtrisë së Kosovës dhe zjarrfikësit e Kosovës po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit në këto vatra pasi situata paraqitet kritike. Mësohet se në rrezik janë 5 banesa dhe rreth 30 banorë nga Leproj.
Nga ana tjetër në fshatin Shëmri nuk ka rrezik për përhapjen e flakëve të zjarrit për banesat pasi mësohet se bashkia e Kukësit ka marrë masat për evakuimin e banorëve në shkollën e fshatit.


