Një 29 vjeçar, banues në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, është arrestuar në Velipojë, nga policia pasi ka tentuar që të rrëmbejë një vajzë dhe ka goditur babain e saj.
Ditmir Juka, është kallëzuar në polici nga shtetasja U. Rr., 23 vjeçe, banuese në lagjen “Qemal Stafa”, se është përndjekur dhe dhunuar fizikisht nga ky shtetas, i cili ka tentuar ta marrë me forcë duke e goditur.
Po ashtu ka goditur edhe babanë e saj, shtetasin R. Rr., 60 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin Ditmir Juka, në rrugën nacionale Velipojë-Shkodër, në fshatin Berdicë.
I riu akuzohet për veprat penale “Përndjekja”, “Dhuna në familje”,“Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Kanosja“.
Në përfundimi të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 29-vjeçarit dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.


