Bashkia e Tiranës njofton se do të rikthejë në treg abonetë e përgjithshme për të gjithë qytetarët që përdorin transportin publik.
Shitja e aboneve të përgjithshme do të nisë nga 1 korriku, pas një muaji pezullimi, që sipas bashkisë u bë me qëllim përmirësimin e kushteve dhe shërbimit për qytetarët.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin, pasi gjatë muajit qershor u tha se Drejtoria e Transportit e Trafikut Rrugor realizoi më shpejt në kohë procesin e mbledhjes së të dhënave për shërbimin e transportit qytetës.
Ky proces thuhet se do të shërbejë për kryerjen e një analize studimore, e cila sipas bashkise pritet të ndihmojë në përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
Pak ditë më parë, u raportua se përveç urdhërit për të rikthyer abonetë e përgjithshme në treg, kryebashkiaku Erion Veliaj do të ndëshkojë me heqje të licencës edhe disa nga operatorët e transportit publik, të cilët nuk kanë respektuar standardet dhe kanë shkelur rregullat e vendosura.


