Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se protestat do të vijojnë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.
Duke folur në Neës 24 për protestën e opozitës, Kryemadhi iu përgjigj edhe aleatëve të PD-së, të cilët dy ditë më parë i shprehën shqetësimet e tyre Lulzim Bashës për faktorizim e LSI.
Kryetarja e LSI tha se aleatët e djathtë duhet të qetësohen, pasi LSI-ja ka kandidatët e saj dhe nuk do që të fusë emra në listën e PD-së.
“LSI ka peshën e vet ne elektorat. Fronti opozitar ka nevojë për çdo grimë opozitare. Ne duam bashkimin e çdo opozitari për të rrëzuar këtë qeveri.
Ne nuk duam vende në listat e deputetëve të PD dhe as nuk duam të ndajmë thelat e një qeverie imagjinare.
Sot Shqipërisë po i rrezikohet demokracia. Dhe që të ketë demokrati, duhet të ketë opozitë të fortë.
Qëllimi i vetëm është rrëzimi i Edi Ramës. Ky është problemi i madh i shqiptarëve.
Më datën 27 në orën 12:00 ne jemi në shesh. Koha e Edi Ramës mbaroi, dhe nuk ka për t’u kthyer më, pasi ka shpërngulur shqiptarët, ka shkatërruar familjet shqiptare, ka shkatërruar ekonominë, ka larguar investitorët.
Do të ngrihen të gjithë ata shqiptarë që janë kundër gjobave, kundër korrupsionit, kundër dhunës. Këtu problemi është Edi Rama, dhe largimi i tij.
Ky është qëndrimi ynë, dhe bashkëbisedimi që kemi me Bashën është për këtë. Ne kemi votat tona dhe elektoratin tonë, dhe PD nga ana tjetër ka hyrë bashkë me partitë e tjera”, tha kryetarja e LSI.


