I ftuar ne emisionin “Arnautistan” në MCN TV, Peza i kujtoi Nanos karrierën e tij, ndërkohë që e pyeti se ku po shkon profesionalisht.
“Kemi qenë në promovimin e ribotimit të librit tënd për jetën tënde dhe më mbeti pa bërë një pyetje. Dhe kjo ishte pyetja. Ne jemi në një zanat që na realizohen pyetjet. Ti e nise në Skrapar dhe je në Tiranë, vazhdove si inxhinier dhe hyre në gazetari, pastaj në publicistikë, në politikë, pastaj në diplomaci, pastaj në letërsi. Je gjithmonë duk i ikur vetes, për ku po vrapon Muç Nano?”, tha Peza.
Ndërkohë Nano u përgjigj se ajo që ka dashur të bëjë gjithmonë ka qenë të shkruarit dhe se me letërsinë e ka gjetur veten.
“Duke përjashtuar diplomacinë me këto gjërat e tjera jam aty. Në politikë më rrëmbeu vala kundër komunizmit, e cila i përfshiu të gjithë, por ajo që kam dashur të bëj që i vogël është kjo që po bëj tani, të jem gazetar, të shkruaj, të jem shkrimtar. Për fat të mirë e quaj veten të realizuar dhe nuk e konsideroj veten të ikur. Në mëdyshje kam qenë deri në vitet 90-të, kisha tundimet e emigracionit dhe në 98-ën jam kthyer dhe po bëj atë që kam dashur. Tani kam gjetur veten”, tha Nano.


