Vlora është tronditur sërish dje nga breshëritë e kallashnikovit! Në mes të qytetit një tjetër të riu iu mor jeta nga plumbat. Delon Troqe, 38 vjeç, nga Vlora, është ekzekutuar para derës së biznesit të tij rreth orës 21:30, ndërkohë që me të ndodheshin edhe familjarët. 15 herë është qëlluar ndaj 38-vjeçarit, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja. Ky është ekzekutimi i dytë që ndodh në qytetin e Vlorës brenda 11 ditëve, ku më 10 maj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij 40-vjeçari, Bledar Birçaj, i cili gjithashtu nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Spanja. Por bilanci rëndohet kur ke parasysh që vetëm në këto muaj të 2021-shit, 3 të tjerë janë ekzekutuar në mënyrë mafioze në këtë qytet. 4 vrasje gjithsej që e bëjnë Vlorën një prej qyteteve më problematike në vend.
40-vjeçari Gentjan Qarri, i njohur me pseudonimin “Geçe, ishte viktima e parë nga plumbat në Vlorë. Ai u vra më 6 shkurt. Më 3 mars vritet në mes të ditës në Vlorë me breshëri kallashnikovi 31-vjeçari Tauland Beqiraj (Manaj, Gjikaj! 2 persona të pamaskuar, të veshur me të zeza, ekzekutuan të riun pas një sherri për borxhet. Ndërkohë që më pak se 2 javë më parë në mes të ditës u vra 40-vjeçari, Bledar Birçaj. Në një atentat të mirëorganizuar në automjetin e tij “BMË” X5.
Si ndodhi vrasja e Gentjan Qarrit: Më 6 shkurt, ekzekutohet në qytetin e Vlorës me armë zjarri tip kallashnikov 40-vjeçari Gentjan Qarri, i njohur me pseudonimin “Geçe”. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit. Viktima ishte duke ecur në këmbë ndërkohë që nga një automjet me dy persona të kamufluar brenda është qëlluar me breshëri plumbash, mbi 20 herë duke e lënë fillimisht të plagosur. Gentjan Qarri është qëlluar në gjymtyrët e poshtëm dhe në gjoks ku si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. 40-vjeçari Gentjan Qarri sapo kishte dalë nga banesa e tij në momentin ku dy persona nga një makinë kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashnikovi. Autorët kanë qëlluar pa pushim deri sa i ka ngecur arma pasi i kanë mbaruar fishekët. Qarri jetonte në një pallat në katin e 12-të pranë vendit ku u ekzekutua. 40-vjeçari kishte qenë i dënuar me 11 vite burg për drogë në Itali. Ai kishte 3 vite që kishte përfunduar dënimin dhe ishte kthyer në Vlorë, ku ishte martuar dhe punonte si hidraulik. Për shkak të dënimit me drogë pista e hetimit është përqëndruar tek larja e hesapeve.


