Ekspertë të shëndetit publik besojnë se shifrat reale të përhapjes janë edhe më të larta dhe se piku i infektimeve mund të shënohet në fund të muajit.
Megjithëse shtetet veriore dhe perëndimore të Indisë janë goditur më rëndë aktualisht, duket se jugu i vendit po shkon me shpejtësi drejt një situate kritike.
Bengalore, ku kanë qendrat e tyre të operimeve rajonale kompanitë Google, Amazon dhe Cisco, ka regjistruar përhapje në komunitet të varianteve të reja që në fund të marsit, por situata u bë akute rreth dy javë më parë, tregon studimi.
“Varianti i ri është shumë më ngjitës, prandaj në këtë valë të re po infektohen pesë herë më shumë njerëz se në valën e mëparshme,” tha të premten një ekspert mjekësor.
Infektimet po përhapen tani nga qytetet me popullatë të dendur në zonat rurale ku jeton afro 70% e popullsisë prej 1.3 miliardë banorësh.
India, një ndër vendet e fuqishme prodhuese të vaksinave, nuk ka arritur të imunizojë popullatën me ritme të shpejta kundër COVID-it. Mungesa e vaksinave, shpjegojnë ekspertët, është një ndër arsyet për përhapjen e shpejtë të infektimeve dhe shfaqjen e mutacioneve të reja.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të premten Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera prodhuese të vaksinës kundër COVID-19 të eksportojnë sasitë e tepërta të vaksinës, ashtu siç bën BE-ja, në vend të fjalëve për të pezulluar patentat e vaksinave.
Presidentja e Komisionit Evropisn Ursula von der Leyen tha në një konferencë për shtyp se diskutimet për pezullimin e patentave nuk ofrojnë as edhe një dozë të vetme në të ardhmen e afërt.
“Duhet t’i hapim diskutimet mbi këtë temë. Por në këto diskutime duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të prodhojmë vaksina për të gjithë botën,” tha ajo.
“Bashkimi Evropian është i vetmi rajon demokratik i botës që po eksporton në shkallë të gjerë,” tha ajo.
Zonja von der Leyen tha se rreth 50% e vaksinave që prodhohen në Evropë eksportohen në rreth 90 vende, përfshirë për programin COVAX që u ofron vaksina vendeve me të ardhura të ulëta.
Udhëheqësja evropiane tha se BE-ja ishte në vazhdën e ndarjes së vaksinave, duke përmendur 615,000 doza që i ka dërguar Ballkanit Perëndimor./ VOA


