Kryeministri Rama ka qenë tejet i ashpër me deklaratat e ish-Kryeministrit Berisha për vaksinat anti COVID, i cili ka nisur një fushatë denigrimi për vaksinat ruse dhe kineze duke përhapur panik. Rama tha se është e pafalshme që Basha nuk reagon për këto deklarata.
“Sali Berisha ka nisur një fushatë dhe thotë që vaksina është e dëmshme dhe të vdes. Sikur të dilte ndonjëri nga skuadra jonë dhe të thoshte diçka sado të dyshimtë për këtë betejë, për këtë armë që është e vetmja që ka njerëzimi sot në dorë për të mundur armikun e padukshëm dhe unë të mos thosha asgjë? Të bëja sikur s’ka ndodhur asgjë?”, deklaroi Rama.
Më tej kryesocialisti iu drejtua fermerëve të Rrogozhinës: “Nëse doni të ndërpritet vaksinimi votoni ata. Sali thotë që vaksina të vdes. Ai fut ankth dhe pasiguri në shpirtin e njerëzve. Ne po bëjmë vaksinimin masiv dhe kjo është bërë me shumë ngulm dhe këmbëngulje. Ata nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë t’i shërbesh njerëzve”, tha Rama në një takim në Rrogozhinë”.
Ish-kryeministri Berisha një ditë më parë me anë të një postimi në rrjetet sociale kërkonte të hapte panik duke deklaruar se nga vaksina kineze kanë vdekur njerëz dhe se në Kinë ishte ndaluar përdorimi i vaksinës së prodhuar nga firma Sinovac për mbi 65 vjeccët.


