Sipas statistikave të INSTAT, gjatë vitit 2020 lindën 28.075 foshnja. Kjo do të thotë 1,7 % më pak krahasuar me një vit më parë. Kjo temë u diskutua ditën e sotme në studion e “Shqipëria Live” në Top Channel, ku e ftuar ishte gjinekologia e njohur, Mimoza Keta.
Ajo u shpreh se prindërit kanë frikë të sjellin në jetë një fëmijë në këtë periudhë të pandemisë së koronavirusit. Keta tregoi se ka pasur çifte që kanë shkuar tek ajo për vizitë dhe i kanë thënë se nuk duan të lindin derisa të kalojë pandemia.
“Drejtohen te mjeku për ti ndihmuar të lindin aq fëmijë sa duan. Gjatë periudhës së pandemisë, nuk kanë rënë konsultimet, por ka dhe çifte që pas këshillimit për të ngelur shtatzënë, thonë a mund ta provoj pas pandemisë. Shumica e atyre që vijnë për konsultim, pyesin a rrezikon fëmija, po unë. Në studimet e para u tha që nuk ka rrezik që virusi të kalojë nga nëna te bebi, por më vonë studimet ndryshuan dhe u tha se mund të infektohet”, përfundoi gjinekologia.