Deklarata e një dëshmitari i ka dhënë një tjetër drejtim hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Behar Sofisë. Pista ku po hetohej për ndonjë konflikt të mundshëm të së kaluarës për trafikun e heroinës është lëkundur pas deklaratave të shoferit të viktimës, i cili teksa është marrë në pyetje ka treguar se Sofia ka pasur një debat me një sipërmarrës. Sipas këtij dëshmitari, sipërmarrësi në fjalë, identitetin e të cilit nuk e dinte, i ka vonuar pagesat Sofisë për një dyqan tek zona e Astirit.
Behar Sofia më ka shprehur një shqetësim të tijin. Ai ka pasur një debat me një sipërmarrës përmes telefonit. Nuk kam dijeni në lidhje me identitetin e tij, por Behari më ka treguar se ky sipërmarrës i kishte vonuar pagesat për një dyqan, i cili ndodhet në afërsi të Unazës së Re në Astir.
Pavarësisht kësaj deklarate, e cila ka nxjerr në skenë këtë konflikt të mundshëm të Sofisë më një sipërmarrës, gjithsesi, grupi hetimor vijon verifikimet për të kaluarën dhe larjen e hesapeve. Deri tani, duket se provat mungojnë për të konfirmuar secilën prej tyre, por një burim i tha Report TV se ka disa dyshime për lokalizimin e mundshëm të autorit. Për shkak të sekretit hetimor nuk bëhen me dije detaje të tjera, ndërsa policia, në bashkëpunim me organin e akuzës po punojnë për të pasur rezultate konkrete.
Hetusit janë rikthyer sërish në vendin e ngjarjes, ku pesë ditë më parë u ekzekutua me dy plumba 66-vjeçari. Grupi hetimor është përqendruar edhe njëherë në ambientet në afërsi të lumit të Lanës dhe urës, nga ku dyshohet se ka lëvizur autori i vrasjes. Në foton e siguruar nga Report TV vërehen pajisjet detektuese të metaleve. Çdo provë e mundshme që do të gjendej do të shërbente për zbardhjen ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Ekspertët e policisë rikthen sot në vendin ku ndodhi vrasja
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë deri tani dyshohet se janë 3 persona të përfshirë në atentatin ndaj “padronit të heroinës”, njëri prej tyre autori që qëlloi me dy plumba në drejtim të tij dhe dy ndihmësve. Njëri prej tyre ka ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa tjetri ka vëzhguar lëvizjet e viktimës në ditët e fundit dhe pak çaste para vrasjes.
Behar Sofia u ekzekutua me dy plumba sapo doli nga një lokal ku kishte pirë kafen e mëngjesit dhe po lëvizte në këmbë buzë Lanës përballë Piramidës.


