Që prej dy vitesh gazetari Ylli Rakipi drejton emisionin “Të paekspozuarit”, i cili është i ideuar po nga ai vetë.
Por ditën e sotme ka pasur disa aludime se Rakipi do largohet nga News24 për të shkuar kështu tek “Top Channel”, dhe akoma më shumë drejt e në emisionin “Top Story”, që duket se ende po kërkon zëvënësues pas ikjes së Sokol Ballës.
AlpeNews.al, mësoi se një supozim i tillë ishte i vërtetë dhe se kjo lëvizje do të ndodhte, por më një ndryshim.
Zhvendosja e tij nga një ekran në tjetrin, do të shoqërohet edhe me zhvendosjen e emisionin të tij, “Të paekspozuarit”. Kjo do të thotë se Rakipi nuk do të drejtojë “Top Story”-n siç u tha fillimisht nga mediat.
Vlen të përmendet se ky është ekrani i tretë që gazetari i njohur provon në dy sezonet e fundit televizive. Fillimisht ishte tek “Ora News”, më pas në “News 24”, dhe së fundmi “Top Channel”.
Ky i fundit sigurisht është një ekran më i madh, televizion kombëtar dhe gjeneralist. Theksohet kjo e fundit pasi dy përvojat e mëparshme të Rakipit kanë qënë në televizione informative, të cilat megjithëse të njohura në treg, nuk e kanë peshën, ndikimin dhe audiencën e televizionit kombëtar “Top Channel”.
Mësohet se Ylli Rakipi do të fillojë zyrtarisht më datë 25 janar puntatën e parë të emisionit në televizionin e ri. Ky emision do të transmetohet çdo të enjte në orën 21.00 LIVE, ashtu sikurse ka ndodhur dhe në televizionin e mëparshëm, duke vazhduar të jetë konkurent me Opinionin e Fevziut, emisionin 360 gradë të Artur Zhejit në Ora News, po në të njëjtën ditë dhe orë, sikundër edhe me Sokol Ballën vetë i cili do të drejtojë në Vizion+ emisionin e ri “Real Story”.
Alpenews.al


