Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me mjekun e pezulluar të QSUT Edvin Prifti, pasi këtij të fundit iu gjetën në banesë një shumë e madhe parash, pasi emri i tij doli në dritë nga përgjimet në Gjykatën e Krujës.
Duke iu referuar mjekut kardiokirurg dhe gjyqtares Enkeleida Hoxha, e cila përfundoi në pranga, Rama i konsideroi si shembuj që sistemi i drejtësisë po funksionon.
“Bashkë me gjykatësen u arrestua një mjek, Shef Pavioni që iu gjetën në shtëpi paratë e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin, sepse kjo do të rrisë besimin e njerëzve që të denoncojnë. Faktiksiht në rastin e mjekut ka pasur një denoncim, që e ka përcjellë drejtori i spitalit në sistem. Për të thënë shikojeni, nuk jam unë që mund ta provoj, por shikojeni.
Dhe kështu gjërat fillojnë e vijnë hap pas hapi. Nuk ka shkop magjik”, tha Rama.
Pas kontrolleve në shtëpi mjekut iu zbuluan rreth 200 mijë euro dhe 130 milionë lekë. Ndërsa në zyrë janë gjetur 50 mijë euro si dhe 30 milionë lekë. Por në seancën gjyqësore ku pritet të njihet me vendimin e gjykatës, nëse do të pranohet apo jo kërkesa e Prokurorisë për ta burgosur mjekun, ai ka deklaruar se nuk ka fshehur asgjë.


