Policia e Lezhës ka sekuestruar 10.2 kg kanabis sativa, e cila po transportohej me taksi nga një 52-vjeçar.
Shtetasi me inicialet L.H., pasi është rrethuar nga policia ka tentuar të largohet, duke përplasur edhe një nga makinat e efektivëve.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi disaditor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: L.H., 52 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
Shërbimet e Policisë, mbi bazën e informacionëve të disponuara se me një mjet taksi po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe në Milot, kanë identifikuar mjetin dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka goditur një nga mjetet e shërbimeve të Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip “Benz” që shërbente si taksi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.”, njofton policia.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


