Project Syndicate
Në shtatorin e vitit 2000, 189 vende nënshkruan “Deklaratën e Mijëvjeçarit”, duke miratuar parimet e bashkëpunimit ndërkombëtar për një epokë të re të përparimit drejt synimeve të përbashkëta. Duke dalë nga Lufta e Ftohtë, ne ishim të sigurt mbi aftësinë tonë për të ndërtuar një rend multilateral që do të ishte i aftë të trajtonte sfidat e mëdha të kohës:uria dhe varfëria ekstreme, degradimi i mjedisit, sëmundjet, kriza ekonomike dhe parandalimi i konflikteve.
Në shtatorin e 2015-ës, të gjitha vendet u angazhuan sërish për një axhendë ambicioze, për t’i trajtuar së bashku sfidat globale:Axhenda e OKB 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Ne s’duhet që të kemi frikë nga një botë post-pandemike, cila nuk do të jetë e njëjtë me atë para shfaqjes së pandemisë aktuale.
Përkundrazi, ne duhet t`a përqafojmë atë botë, dhe të shfrytëzojmë të gjitha forumet e përshtatshme dhe mundësitë që do të kemi në dispozicion, për t`a bërë një botë më të mirë, duke çuar më tej kauzën e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Bota jonë ka përjetuar tendenca të ndryshme, të cilat kanë çuar në rritjen e prosperitetit në nivel global, ndërsa pabarazitë mbeten aty ose janë rritur. Në të njëjtën kohë demokracitë janë forcuar, ndërkohë që edhe nacionalizmi dhe proteksionizmi kanë përjetuar një ringjallje.
Gjatë dekadave të kaluara, 2 kriza të mëdha i kanë dëmtuar shoqëritë tona, si dhe kanë dobësuar kornizat tona të politikës së përbashkët, duke hedhur dyshime mbi aftësinë tonë për të kapërcyer krizat, adresuar shkaqet e tyre rrënjësore, dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë.
Gjithashtu ato na kanë kujtuar se sa të ndërvarur jemi. Për të diktuar të ardhmen tonë, krizat më serioze kërkojnë vendime më ambicioze. Ne besojmë se kriza aktuale mund të jetë një mundësi për të rindërtuar konsensusin për një rend ndërkombëtar të bazuar tek multilateralizmi dhe shteti i së drejtës përmes bashkëpunimit efikas, solidaritetit dhe koordinimit.
Nën këtë frymë, ne jemi të vendosur që të punojmë së bashku, me dhe brenda Kombeve të Bashkuara, organizatave rajonale, forumeve ndërkombëtare si G7 dhe G20, dhe koalicioneve ad hoc për të adresuar sfidat globale me të cilat përballemi tani dhe në të ardhmen.
Emergjenca e parë është shëndeti. Kriza e Covid-19 është testi më i madhi solidaritetit global në breza. Ajo na ka rikujtuar një fakt të qartë:përballë një pandemie, zinxhiri ynë i sigurisë shëndetësore është po aq i fortë sa edhe sistemi shëndetësor më i dobët. Covid-19 është një kërcënim për njerëzit dhe ekonomitë kudo.
Pandemia kërkon një reagim të fortë dhe të koordinuar ndërkombëtar, që zgjeron me shpejtësi qasjen tek testet, trajtimet dhe vaksinat, duke e njohur imunizimin në shkallë të gjerë si një e mirë publike globale, e cila duhet të jetë e disponueshme dhe e përballueshme për të gjithë. Në këtë drejtim, ne mbështesim plotësisht platformën unike globale Access to COVID-19 Tools (ACT) Accelerator, të krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e G20-ës në prillin e vitit të shkuar.
Por për ta përmbushur misionin e tij, ACT-Accelerator ka nevojë urgjente për mbështetje më të gjerë politike dhe financiare. Gjithashtu ne promovojmë shkëmbimin e lirë të dhënave midis partnerëve dhe licencimin vullnetar të pronës intelektuale.
Në planin afatgjatë, ne kemi nevojë për një vlerësim të pavarur dhe gjithëpërfshirës të reagimit tonë, për të nxjerrë të gjitha leksionet nga kjo pandemi, dhe për t’u përgatitur më mirë për pandeminë e ardhshme. OBSH-ja ka një rol qendror në këtë proces.
Emergjenca është gjithashtu mjedisore. Përpara Konferencës së OKB për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgou në nëntor të këtij viti, ne duhet të shtojmë përpjekjet tona për ta adresuar problemin e ndryshimit të klimës, dhe për t’i bërë më të qëndrueshme ekonomitë tona.
Deri në fillim të këtij viti, vendet që emetojnë më shumë se 65 për qind të gazrave serë, ka të ngjarë të kenë marrë angazhime ambicioze për neutralitetin e karbonit. Tani të gjitha qeveritë kombëtare, bizneset, qytetet dhe institucionet financiare duhet të bëhen bashkë në koalicionin global për uljen e emetimeve të CO2 në zero, sipas Marrëveshjes së Klimës së Parisit, dhe të fillojnë zbatimin e planeve dhe politikave konkrete.
Pandemia ka shkaktuar krizën më të rëndë ekonomike në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rimëkëmbja e një ekonomie të fortë dhe të qëndrueshme botërore, është një prioritet themelor. Në fakt, kriza aktuale po kërcënon të zhbëjë përparimin që kemi arritur gjatë 2 dekadave të fundit në luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë gjinore.
Dhe pabarazitë po i kërcënojnë demokracitë tona, përmes prishjes të kohezionit social.
Nuk ka dyshim, se globalizimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë ndihmuar miliarda njerëz të dalin nga varfëria. Por sërish,gati gjysma e popullsisë së botës përballet ende me vështirësi në përmbushjen e nevojave më themelore.
Dhe brenda shumë vendeve, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është bërë i paqëndrueshëm, gratë nuk gëzojnë ende mundësi të barabarta, dhe shumë njerëz duhet të ri-sigurohen mbi përfitimet që sjell globalizimi. Ndërsa po i ndihmojmë ekonomitë tona që të kapërcejnë recesionin më të keq ekonomik që prej vitit 1945, prioriteti ynë kryesor mbetet garantimi i tregtisë së lirë të bazuar tek rregullat, si një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Prandaj, ne duhet të forcojmë Organizatën Botërore të Tregtisë, dhe t`a shfrytëzojmë plotësisht potencialin e tregtisë ndërkombëtare për rimëkëmbjen tonë ekonomike. Njëherazi, mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit, si dhe standardet sociale duhet të vendosen në qendër të modeleve tona ekonomike, duke siguruar kushtet e nevojshme për inovacione.
Bota pas Covid-19 nuk do të jetë më e njëjta. Le t’i përdorim forumet dhe mundësitë e ndryshme siç është Forumi i Paqes në Paris, për të punuar në drejtim të trajtimit të këtyre sfidave me një vizion të qartë. Ne ftojmë udhëheqës politikë, ekonomikë, fetarë dhe të mendimit që të kontribuojnë në këtë diskutim global.
*Shënim: Ky është një mesazh i përbashkët i presidentit francez Emmanuel Macron, kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit senegalez Macky Sall, shefit të OKB António Guterres, presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, dhe kreut të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.


