Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot në “Open” ngjarjen e rëndë të denoncuar nga emisioni “Stop”, ku u pa me zë dhe figurë që ish-sanitarja e “Shefqet Ndroqit” i mori mbi 8 milionë lekë vajzës së një pacienteje që ishte me koronavirus dhe ndërroi jetë pas 1 muaji shtruar.
Rama e ka cilësuar si diçka të pështirë dhe të neveritshme dhe se ndihet mirë që sot është pas hekurave. Kreu i Qeverisë u shpreh i bindur se në sistemin tonë shëndetësor ka ende persona si Tirja, por kjo nuk do të thotë se mbi 18 mijë bluza të bardha janë si Tirja.
Në fund kryeministri i bëri thirrje qytetarëve që nëse nuk kanë besim te Prokuroria dhe Policia, ta bëjnë denoncimin në media.
Rama: Kjo është një gjë e pështirë, një verrem që nuk kapërdihet. Por jam ndjerë mirë vetëm për faktin që një përsonazh kaq i përshtirë është arrestuar dhe sot gjendet prapa hekurave. Dhe dua të shpreh mirënjohjen për gazetarët që nuk dhanë opinione kafeneje, por bënë një shërbim publik. Një shëmbëlltyrë e tillë, që padiskutim s’është e vetmja, por ka dhe të tjerë që u ngjajnë kësaj në sistemin tonë shëndetësor, por nuk mund ta njollosin gjithë sistemin. Dua t’i them të gjithë qytetarëve që nëse nuk doni të denonconi në Prokurori apo Polici, përdorini sa të mundni emisionet investigative. Dua të nxirrni në sipërfaqe sa të mundni këto tumore që në organizmin e sistemit tonë shëndetësorë krijojnë të tilla situata që vendosin në kolaps marrëdhëniet e njeriut me sistemin dhe shfrytëzojnë ankthin e një familjari. Si mund t’i besoh një infermieri dhe të japësh lekë pa bërë minimumin se me kë po flet. Mendjelehtësi, por e justifikuar. Nga ato që janë publikuar në emisionin “Stop” nuk rezulton të ketë një zinxhir, por ka një mashtrim klasik dhe të hatashëm. Nëse Prokuroria nxjerr të tjerë të implikuar dhe ata do të shkojnë pas hekurave. Është e domosdoshme që ta bëjmë sistemin në shëndetësi të besueshëm. Se s’mund ta bëjmë vetëm ne.
Vasili: Dakord kjo Tirja bëri atë që bëri, por në mesazhe thotë mamaja që nuk i bëjnë shërbim, nuk e ndërrojnë.
Rama: Unë po e them thjeshtë, spitalet tona Covid kanë bërë dhe po bëjnë një punë heroike dhe të suksesshme, dhe nuk e përjashtoj që të ketë dhe gjëra që nuk shkojnë, por janë pafund ata që kanë kaluar në këto spitale, por shkojini gjejini me kamera dhe nëse ndër ata do flasin kështu, ta marrim atë që ka bërë një gjë të tillë që nuk i ka shërbyer pacientetit, ta nxjerrim me shkelma nga sistemi.


