Sekretari i Partisë Socialiste për mediat, Alfred Peza ka komentuar zhvillimet aktuale në vend. Teksa ishte i ftuar këtë të mërkurë në studion e lajmeve në “Vizion Plus”, Peza iu është përgjigjur deklaratave të opozitës se vendi rrezikon përsëritjen e vitit 1997.
Pavarësisht situatës politike konfliktuale, sipas Pezës, nuk ka asnjë lloj mundësie që ai vit të përsëritet.
“Gjithmonë para zgjedhjeve këndohet kjo këngë mjelmash. U këndua para zgjedhjeve të 2019-së, duan ta këndojnë edhe tani me sa duket. Nuk ka asnjë lloj shansi që të përsëritet 1997. Është një ngjarje në rrethana politike të caktuara, në një kontekst tjetër. Nuk ndodh kurrë që një vend anëtar i NATO-s, siç është Shqipëria, të rihapen depot e armëve, siç ndodhi në 1997. Nuk ndodh kurrë që të ketë një predispozitë politike, siç ishte qeverisja abuzive e Berishës na atë kohë që shkaktoi atë acarim. Pa llogaritur elementin e vjedhjes së krusimeve të 95% të shqiptarëve, nga firmat mashtruese piramidale, nën garancinë e qeverisjes së atëhershme të PD”.
Sa i përket vendimit të qeverisë për të mos e bërë publik emrin e vendit që ndihmoi Shqipërinë me 975 dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit, Peza tha se ishte zgjedhja e vendit të BE-së që kjo dhuratë të mos shndërrohet në një çështje politike brenda shtetit të vetë.
“Është e rëndësishme për shtetin që na i ka dhënë. Ata kanë kërkuar që kjo mos të tregohet. Ne jemi në momentin e parë të një procesi, ku të gjithë kombet janë në garën e shpejtësisë, kush ta fillojë më shpejt. Ai vend i BE që ia dha Shqipërisë nuk dëshiron që kjo dhuratë bujare të shndërrohet në një çështje brenda vendit të vet dhe nga mirësia të kalojë në diçka tjetër. Është shumë e thjeshtë.”