Nga lajmet më të fundit të demokracisë në botë: një politikan fitoi zgjedhjet për Shtëpinë e Delegatëve të Virginia-s, pasi i ra shorti.
Një situatë e pazakontë zuri vend pas zgjedhjeve për Shtëpinë e Delegatëve, në të cilat republikani David Yancey u deklarua fitues pasi hodhi poshtë fitoren e kandidates rivale, dhe bëri ç’bëri, kaloi në barazim me të. Imagjinoni të mos ishte tërhequr emri i tij.
Çështja është, se fillimisht më 19 dhjetor, zgjedhjet i fitoi kandidatja demokrate Shelly Simonds, me vetëm një votë më shumë. Madje, triumfi i saj u deklarua si goditja përfundimtare e Virginias ndaj republikanëve, që kishin humbur 15 vende në Shtëpinë e Delegatëve.
Simonds e mori fitoren për të mirëqenë dhe deklaroi mirënjohje. E shkreta vajzë.
Të nesërmen, Yancey u ankua për një votë të panumëruar, e cila ishte shpallur e pavlerë. Një panel serioz prej 3 gjykatësish vendosi ta rishqyrtonte dhe në fund të rishqyrtimit, vendosi ta kualifikonte votën si të vlefshme dhe në favor të David Yancey-t.
Siç dallohet shumë qartë, votuesi ishte shumë i pavendosur (shenja e Peshores, mbase?) dhe pasi ngjyrosi një herë rrethin e Shelly Simonds-it, vendosi ta anulonte duke i hequr një vizë dhe të votonte më mirë për David Yancey-n. E keni parasysh, andralla që sipas ligjit e bëjnë votën të paligjshme.
Por jo për kryetarin e KQZ-së së Virginia-s, James Alcorn. Ai e quajti këtë votë të vlefshme dhe ja ku dolën në barazim: të dy kandidatët me nga 11,608 vota.
Sipas ligjit, në raste barazimi i takon të bëhet me short, mjafton të jetë barazim.
Edhe pse Simonds u ankua, duke i kërkuar gjykatës të ri-rishqyrtonte votën, tre gjykatësit e refuzuan kërkesën e saj. Kështu, shorti u caktua për sot, më 4 janar.
Dy letra me emrat e kandidatëve u rrotulluan në një tas nga vetë James Alcorn (KQZ, ti je vëlla?) dhe më pas tërhoqi letrën me emrin e fituesit.
David Yancey!
Morali i të gjithës është mëse i qartë: nëse e dëshiron fort diçka, ti mund t’ia dalësh. Asnjë humbje e vogël s’duhet të të pengojë drejt triumfit përfundimtar. Ti je ajo çfarë beson dhe nëse e shikon veten fitues, i tillë do të bëhesh!






