Situata nga reshjet masive të shiut paraqitet problematike edhe në Qarkun e Shkodrës. Mësohet se shqetësues mbetet fakti që ka një rritje me 10 cm të ujit në Lumin Drin nga një ditë më parë dhe situata mund të përkeqësohet në vijim.
Tokat bujqësore vijojnë të jenë të përmbytura, ku në total ndodhen nën ujë 1595 hektarë. Zona më e goditur është ajo e Anës së Malit me rreth 80 hektarë tokë të përmbytura, ndërsa fshati më problematik është ai i Obotit, ku rruga është e pakalueshme dhe niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Bashkia e Shkodrës ka furnizuar me ujë të pijshëm banorët në këtë fshat.
Gjithashtu, në Velipojë raportohet për dy banesa me probleme, ku uji arrin në 30 cm. Vetëm në Njësinë Velipojë raportohet për probleme në dy shtëpi dhe në Obot, ku rruga është e pakalueshme, por banorët po transportohen me një mjet të tonazhit të rëndë.
Siç raporton gazetari Nikshiqi, në Obot nuk është futur ende uji nëpër banesa, por tokat janë të përmbytura dhe ka dëme të konsiderueshme në të mbjellat. Transporti po bëhet vetëm me mjetin e ushtrisë, pasi rruga është e pakalueshme për mjetet e tjera.


