Pas largimit të protestuesve nga ambjentet e Capitol në SHBA, Kongresi amerikan rifilloi seancën për konfirmimin e rezultateve të Kolegjit Elektoral për fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Senati amerikan hodhi poshtë me shumicë dërrmuese një lëvizje nga aleatët e Presidentit Donald Trump për të kundërshtuar certifikimin e rezulateve të zgjedhjeve presidenciale për shtetin e Arizonës që i dha fitoren demokratit Joe Biden.
Protestat e dhunshme që përfshinë ditën e djeshme Capitol-in kanë prodhuar 4 viktima. Një prej personave që ndërroi jetë ishte një grua e cila u qëllua nga policia.
Gjithashtu policia e Uashingtonit bën me dije se janë arrestuar 52 persona, 47 prej të cilëve shkelën shtetrrethimin. Edhe në rradhët e policisë janë plagosur 14 efektivë.
Si demokratët edhe republikanët dënuan dhunën në Kongres por ndërsa demokratët fajësuar Presidentin Trump për nxitjen e saj, shumica e republikanëve nuk e përmendën atë.
“Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër dhunën që ndodhi këtu. Pikëllohemi për humbjen e jetës në këto salla të shenjta, si dhe dëmtimet e pësuara nga ata që mbrojtën Kapitolin tonë sot”, tha nënpresidenti Mike Pence.
Ai tha se ata që sulmuan, nuk fituan.
“Dhuna nuk fiton kurrë. Liria fiton, dhe kjo është ende shtëpia e popullit. Ndërsa rimblidhemi në këtë dhomë, bota do të jetë përsëri dëshmitare e rezistencës dhe forcës së demokracisë sonë”, tha zoti Pence.
Kreu i Republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se “ne do të kryejmë detyrën tonë sipas Kushtetutës për kombin tonë.”





