Notari shqiptar, Klavio Meca ndërroi jetë në mënyrë të papritur 3 ditë më parë si pasojë e një arresti kardiak, duke lënë pas shumë dhimbje për miqtë dhe familjarët.
Ditën e sotme, tezja e tij, Saimira Vrapi ishte e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” ku tregoi raportin me nipin dhe dashurinë e madhe që kishte për 24-vjeçarin.
“Unë e kam nipin e parë dhe dashuria ime e parë e jetës. E donin të gjithë. Kishte një buzëqeshje që e karakterizonte. Ta kujtojmë ashtu siç e kanë kujtuar të gjithë. Për fat të keq unë e humba bisedën e fundit, se kishim një grup që flisnin gjithmonë.
I marr në telefon për të uruar Krishtlindjen, fola vetëm me motrën dhe vëllain. Pak më vonë më mori ai dhe e kisha humbur thirrjen dhe kur e mora unë nuk më përgjigj. Ka qenë paksa i stresuar, momenti ankthi, që nuk ia tregonte familjes që mos t’i shqetësonte”, u shpreh tezja.
Ajo gjithashtu lexoi edhe një letër në emër të familjes së Klavio Mecës. “Ne familja Meca, në ditët më të trishtuara të jetës sonë, duam të falenderojmë të gjithë njerëzit, të njohur dhe të panjohur për mesazhet e tyre të ngushëllimit.
Në raste të tilla (që uroj me gjithë zemër mos i provoftë askush) jemi ndjerë krenar për miqtë e tij notarë dhe ish-notarë, trajnerë e ish-trajnerë, këtu e në SHBA për mbështetjen e tyre. Jeni ju miqtë tanë që po na lehtësoni dhimbjen”, thuhet ndër të tjera në letër.
Më tej familja sqaron se nisma solidare për Klavion nuk është marrë nga ata, teksa shtojnë se: “E kuptojmë solidaritetin e mediave për të na ndihmuar, por kjo iniciativë nuk është marrë absolutisht nga ne si familje”.






