Djali nga Durrësi i cili nuk dorëzohet përballë asnjë sfide apo pengese. I gjendur në karrige me rrota për Flamurin gjërat nuk kanë qenë të thjeshta, por pamundësia e tij fizike nuk ka qenë fare pengesë për të, përkundrazi ai e ka zhvilluar talentin e tij duke u bërë një mekanik i mirë dhe njëkohësisht një shembull për secilin prej nesh duke na mësuar që ëndrrat nuk njohin kufij.
Bala ka botuar librin e tij të parë të titulluar “Sfidë në univers” me thënie dhe poezi, për të cilin ka punuar për pesë vite
Ditën e sotme ai ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” ku tregoi historinë e tij frymëzuese. Flamuri tregon se në asnjë moment nuk i ka thënë vetes se “është fatkeqësi të jesh në karrocë me rrota, pasi jeta ka edhe vështirësi më të madhe”.
“Ajo ç’ka më ka gëzuar pasi mbaroj intervistat televizive është se ka njerëz që më shkruajnë, dhe ata që kanë depresion dhe stres. I jam mirënjohës Zotit, ka shumë njerëz që më shkruajnë e më pyesin se si e përballon jetën, çfarë të frymëzon”, tha ai.
I pyetur se si i lindi ideja për të modifikuar makinat, Bala dhe se ishte 14 vjeç kur nisi pasioni i tij.
“Krijova besim të familjarët që mund të modifikoja makinat. Isha 14 vjeç. Më vonë ndryshova makinë, dhe nisa duke menduar se si të modifikoja makinën që të hipja në të pa më ndihmuar njeri. Ëndrra ime ishte që të lehtësoja jetën time, doja të lëvizja nga një qytet në tjetër i lirë. Kur krijova makinën, në Shqipëri ishte e veçantë, pasi jashtë e bëjnë njerëz të duhur. Vëllai i madh më tha se nuk e bën dot, por unë e bëra. Pastaj nisa me modifikimin e makinave dhe krijova një tip biznesi human”, tha Flamuri.
Por përveç mekanik makinash, Bala edhe shkruan poezi. Ai ka treguar se si i erdhi dëshira për të publikuar librin.
“Me makinat nisa 14 vjeç, në fillim nuk kisha shumë punë. Pjesën e shpirtit shprehës e kam patur që në adoleshencë. Duke qenë romantik, nisa të shkruaja. Kur hapa “Facebook” për herë të parë shkruaja për çdo gjë, polikë dhe dashurinë.
Shkrimin e parë e kam bërë në vitin 2015, e duke shkruar më shumë thashë se pse mos të bëja një libër. Nuk ka poezi vetëm për dashurinë, e nuk ka vetëm poezi por edhe thënie të ndryshme, të krijuara nga unë. Brenda poezive ka shumë realizëm”, tha Bala.
Ndërkohë shtoi se dëshira më e madhe është të shohë shqiptarët e lumtur dhe që të krijojë familjen e tij.



