Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë informacione në lidhje me situatën gripale në vend, në këto muaj të ftohtë dimri. Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, ka thënë se deri tani ka qarkulluar virusi gripal i tipit B, por se janë analizuar mostrat e para me virusin e tipit AH1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit.
Po çfarë janë këto forma gripi dhe si shërohen?
Çfarë është AH1N1 (gripi i derrit)
Pandemia e Gripit A H1N1, i ashtuquajtur si gripi i derrave, është një sëmundje që në mënyrë mjaft të rrufeshme dhe shumë të shpejtë u bë problematika numër një në mbarë shëndetësinë botërore që në një mënyrë na intrigoi të gjithëve me pyetjet se çfarë në të vërtet është e tërë kjo situate? A është rreziku potencial për pandemi? A është e tëra kjo sa për t’u shitur vaksinat?
Ka filluar me lajmërimin e rastit të parë më 4 prill 2009 në Meksikë dhe deri më tani ka përfshirë pothuajse çdo vend në rruzullin tokësor, ku pa u futur në statistikat për vendet tjera nga të dhënat e fundit të ISHP-së, në vendin tonë kemi mbi 213 raste të lajmëruara si infeksion me virusin A(H1N1) dhe 10 raste që kanë përfunduar me vdekje.
Gripi, i ashtuquajtur, i derrit (Swine Flu), është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat. Ky virus bën pjesë në klasën e ARN viruseve dhe i takon familjes së Orthomyxoviridae, që ka një madhësi ose diametër prej 80-200 nm (Nanometër).
Janë tre tipe ose lloje të këtyre viruseve që shkaktojnë gripin: A, B dhe C, ku zakonisht më i zakonshmi që është shkaktari më i shpeshtë i gripit ose influencës është tipi A, kjo është si pasoj e aftësisë unike që ka ky virus për të qëndruar jashtë radarit të imunitetit tek njerëzit nga ndërrimet e vazhdueshme apo kontinuale të strukturës së proteinave antigjenike (mutacioneve). Në vet llojin e virusit A ekzistojnë edhe subkategoritë e tipit A, ku ato dallohen në bazë të llojeve të antigjeneve në sipërfaqen membranore që janë: H – haemagglutinina dhe N – neuraminidaza.
Simptomat te gripi i derrit janë pothuajse të njëjta ose shumë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm (sezonal).
Sëmundja fillon një apo dy ditë që nga infeksioni me këtë virus d.m.th koha e inkubacionit është zakonisht dy ditë, por mund të shkojnë edhe deri në pesë ditë; simptomat mund të shfaqen përnjëherë dhe me tërë ekspresivitetin e tyre apo varësisht nga rastet te personat me një imunitet të ruajtur mund të jenë ose shfaqen me intensitet më të lehtë.
Simptomat e gripit të derrit janë:
* Temperatura, e cila pothuajse është çdo herë prezente me vlera mbi 39.4°C në 12 orët e para
* Ftohje (acarim)
* Dhimbje të kokës
* Dhimbje të muskujve
* Humbje të apetitit
* Molisje (lodhje ekstreme)
* Skuqje dhe djegie e syve
* Zënie dhe shkuarje hundësh
* Kollë e thatë
* Dhembje gryke (fyti)
Gripi sezonal B është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë. Virusi i gripit transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedës me një person të infektuar. Më rrallë një individ mund të infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të kontaminuara nga virusi dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën me duart e infektuara.
Periudha e inkubacionit zgjat nga 1-4 ditë. Një individ i prekur nga virusi i gripit mund të infektojë të tjerët 1 ditë para shfaqjes se simptomave, gjatë periudhës së sëmundjes. Pra, një person i prekur nga virusi i gripit mund t’ia transmetojë virusin një personi tjetër përpara se ai ta kuptojë që është i sëmurë.
Ky lloj gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të shfaqjes së tij, duhet të konsultoheni me mjekun e familjes dhe mjekun pediatër. Mjeku i familjes dhe pediatri duhet të vlerësojnë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit.
Si ti parandalojmë?
Specialistët këshillojnë që sa më parë të bëhet vaksina antigrip.
Gjithashtu duhet të konsumohen dieta që të përmbajë fruta dhe perime në sasi të mëdha.
Rekomantohet që të pihet shumë ujë, sepse kështu organizmi çlirohet nga toksinat e pranishme në gjak.
Laj shpesh duart me ujë dhe sapun.
Shmang vendet e mbyllura.
Vishu mirë kur del.
Shmang takimin me njerëz që janë prekur nga virus i gripit.
Përgatiti K.Lama AlpeNews.al




