Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke komentuar ngjarjet e fundit në vend, vrasjen e Klodian Rashës dhe protestat e dhunshme të qytetarëve të revoltuar, tha se kauza për të riun po përdoret politikisht nga opozita dhe presidenti Meta.
Ajo tha se Ardi Veliu nuk ka pse ta japë dorëheqjen pse disa “halabakë” e kërkojnë këtë gjë.
Sipas Spiropalit, media dhe qytetarët duhet të shqetësohen pas deklaratës që bëri Berisha pardje, kur tha se “nëse Rama në 21 janar do lëvizte një gjethe do hante plumbin ballit”.
Ministrja u shpreh se Berisha flet me kode, duke nënkuptuar se ai është personi që jep urdhrat për vrasjet shtetërore, siç ishin ato të 21 janarit 2011.
Spiropali: Këta njerëz që nga vdekjet e Covid-it dhe vdekje të tjera i përdorin për politikë. Se me votë nuk marrin dot pushtet. Përgjegjësia nuk do ngelet jetime. Që nga polici që është në burg e deri tek dorëheqja e Sandër Lleshaj.
Tufa: Pse nuk jep dorëheqjen Ardi Veliu?
Spiropali: Pse ta japi? Se do Meta dhe Berisha? Kush janë këta që thonë “do djegim Tiranën”. Këta janë halabakë. Standarti ynë s’ka krahasim me standartin e tyre. Këta s’janë opozitarë, këta janë ish-pushtetarë të rënë nga kali që duan të vijnë në pushtet pa votë.
Tufa: Nëse policia e Shtetit ka bërë një analizë të thellë mbi ngjarjen, pse nuk na njofton?
Spiropali: Pse kush jeni ju prokuroria që doni informacion?
Tufa: Ne jemi gazetarë, jemi media që duam të transmetojmë informacionin tek publiku.
Spiropali: Po bëhen hetime dhe do dalin kur të kenë mbaruar të gjitha hetimet. Mos harro që Basha nuk dha dorëheqjen kur u vranë 4 veta në 21 janar. Vrasja e 25-vjeçarit fatkeq nuk u urdhërua nga Lleshaj, nuk është vrasje nga shteti, siç ishte në 21 janar.
Tufa: Kur flasim për Drejtorin e Policisë, ka më shumë kuptim dhe lidhje që ta jepte Veliu dhe më pass Lleshaj dorëheqjen.
Spiropali: Lleshaj. Një ministër dinjitoz, një shtetar i respektuar, e detyruan këta ta japi dorëheqjen. Berisha pardje në emision tha se do t’i fuste plumbin ballit Ramës, kishte 4 snajpera në tavan. Ai ka lëshuar një kod, për vrasje, që do të thotë se ai i jep urdhrat për vrasjet.
Tufa: Mbani mend që një polic më parë vret me gjakftohtësi një të ri?
Spiropali: Unë nuk gjykoj dot gjakftohtë apo jo. Unë pres që ngjarja të zbardhet. Jam e bindur që ngjarja do zbardhet.


