Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, ku 25 vjeçari Klodjan Rasha është qëlluar për vdekje nga një polic, pasi nuk i është bindur urdhrit të këtij të fundit për të ndaluar.
Rasha, pasi nuk i ështe bindur urdhërit për të ndaluar, ka tentuar të largohet me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë që është dukur si armë zjarri.
Duke qenë se rruga ka qenë pa ndriçim, polici ka dyshuar se sendi që i është drejtur ka qenë armë zjarri, dhe në ato momente e ka qëlluar të riun me plumb, si pasojë e të cilit ka ndërruar jetë në spital.
Kurse punonjësi i policisë me iniciale N.H, pas ngjarjes është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme. Nga ana tjetër burime nga policia thonë se i riu ka patur me vete armë.
25 vjeçari rezulton të jetë një person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është dënuar për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016.
LAJM NE PERDITESIM…
Njoftimi i policisë së Shtetit:
Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.
Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.
Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.
Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme. Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.


