Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Mbrostari i Fierit ka sqaruar se pse PS-së i duhet një mandat i tretë në qeveri. Rama thotë se kjo nuk është Shqipëria që duam, pasi të gjitha punët janë në mes dhe ndryshimi është i papërfunduar.
“Ata që pyesin po mirë pse duhet një mandat i tretë? Për ça duhet një mandat i tretë i PS? S’ka nevojë ta ngrejmë pyetjen, nëse duam vërtet përgjigje. Unë mund të jap argumenta. Përgjigjia është tek çdo krahasim mes 7 viteve më parë dhe sot, në çdo fushë.
Sot krahasuar me 7 vite më parë, kushdo të shikojë e shikon, kushdo të kuptojë e kupton. Ta shohin qartë, është një ndryshim i papërfunduar. Janë të gjitha në mes. Shqipëria që ne duam nuk është kjo që kemi. Bie dakord me ata që për arsye mllefi apo për interesa, por për ata që e duan Shqipërinë dhe hasin në shumë halle e pengesa.
Sot jemi në kushtet kur do bëjmë një zgjedhje konkrete. Nëse Shqipëria që duam nuk është kjo që kemi, por s’krahasohet me atë që kishim. Dhe kjo është vetëm falë PS. ”- tha Rama.
Ndërsa u shpreh se më të mirë se PS-ja as dhe vetë demokratët nuk gjejnë. “Më të mirë se ne as demokratët nuk gjejnë, ata duhet të vendosin o të votojnë PD dhe Lulin por do të gjejnë Ilirin e Monikën, ose të votojnë për ne dhe të shpëtojnë PD-në”, tha Rama gjatë fjalës së tij.


