Është zgjedhur zyrtarisht presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Ky i fundit do të bëjë 78 vjeç në fund të këtij muaji dhe do të bëhet presidenti më i vjetër kur të emërohet në janar, në mes të krizës më të madhe shëndetësore në 100 vitet e fundit dhe rënien më të thellë ekonomike që nga 1930-ta.
Ndërkohë Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të jetë Jill Biden. Ashtu si bashkëshorti i saj, edhe Jill ka patur një martesë të mëparshme me Bill Stevenson, një ish-futbollist kolegji, me të cilin kishin lidhur kurorë në shkurt të vitit 1970.
Demokrati është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një gare të ashpër me republikanin, Donald Trump, i cili synonte të merrte edhe një mandat të dytë si njeriu i parë i Amerikës.
Nga ana tjetër, presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti të shtunën në mbrëmje fjalimin e fitores në Uilmington të shtetit Delauer përpara përkrahësve të shumtë.
“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse. Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”, tha Biden.










