Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti të shtunën në mbrëmje fjalimin e fitores në Uilmington të shtetit Delauer përpara përkrahësve të shumtë, ku bëri thirrje për bashkim të komnit.
Biden iu drejtua një kombi me frymën e kompromisit, duke kërkuar që mbështetësit e presidentit Donald Trump t’i jepnin një shans si dhe duke u bërë thirrje të gjithë amerikanëve të kthejnë faqen nga ajo që ai e përshkroi si një “epokë të zymtë të demonizimit”.
“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse”, tha zoti Biden përpara mbështetësve të mbledhur në një parking të cilët brohorisnin.
Pasi vrapoi në skenë i veshur me një maskë, Biden përsëriti premtimin e tij se ai do të kërkonte të bashkonte dhe jo të ndante.
“Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”, shtoi ai.
Ndonëse nuk e përmendi rivalin e tij, Biden iu drejtua 70 milion amerikanëve të cilët votuan në mbështetje të Presidentit Trump, disa prej të cilëve dolën në rrugë të shtunën për të demonstruar kundër rezultateve. Teksa tha se e kupton zhgënjimin e tyre, u ka kërkuar një shans.
“Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë. Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan”, tha ai.
Zoti Biden njoftoi gjithashtu se të hënën do të shpallë një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh për ta ndihmuar atë të hartojë një plan për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Më tej teksa prezantoi planin e tij, vuri theksin te investimte që do të përfshijnë investime në pajisje mbrojtëse personale dhe kredi për bizneset e vogla, si dhe plane për të zbatuar udhëzime më të standardizuara të shëndetit publik.
Ai u prezantua nga senatorja Kamala Harris, e cila do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane dhe e para amerikane me origjinë aziatike që shërben si zëvendëspresidente.


