Pronari i kompanisë “LDA Group”, Kadri Shala, në të cilën janë transferuar afro 2.1 milionë euro nga Thesari i Kosovës, është vetëdorëzuar në Polici.
I pyetur nga KOHA Ditore, nëse Shala është vetëdorëzuar, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka bërë të ditur se lidhur me rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare që është paraqitur më 9 tetor, sot është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës një person.
“Sot në Polici të Kosovës është dorëzuar një mashkull kosovar i cili është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, thuhet në njoftimin.
Të premten e dytë të tetorit, brenda disa orësh, u zhdukën 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit. Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK). Janë kryer 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group”. Transferet janë bërë në emër të tri projekteve: rruga Zhur – Dragash, rruga Prizren-Prevallë dhe Prishtinë- Mitrovicë.
Ndërmarrja e dyshuar kriminale që zhduku 2 milionë e 77 mijë euro, nga të dhënat e siguruara nga KOHA, ka përfunduar në orën 12 :41 minuta, më 9 tetor 2020, në kohën kur zyrtarët e administratës e kanë orën e pushimit të drekës.
Labinot Gruda, zyrtar financiar mbi 11 vite në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar të martën e kaluar.
Policia kishte arrestuar një person dhe ishte në kërkim edhe të dy personave tjerë pas kësaj ngjarjeje. Pas skandalit, ishte kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.
Shala më herët kishte deklaruar se gjendej jashtë Kosovës, dhe sapo të kthehet do të kontaktonte me organet kompetente.
“Diku rreth orës 3 kam shkuar në bankomat të TEB Bankës në Prizren për t’i tërhequr një shumë të mjeteve për nevojat e mija personale nga llogaria e firmës të cilës jam përfaqësues, LDA Gruop, pasi në llogari kam pasur mjete të mjaftueshme afërsisht 20 000 euro. Në atë moment kam vërejtur se shuma në llogari ishte mbi vlerën të cilën e kam pasur.Nga ai moment kam menduar se kam pranuar mjete nga kompanitë me të cilat kam punuar por nga përmbaruesit të cilët i kam angazhuar për kompanitë të cilat më kanë obligime”, pati deklaruar Shala.


