Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është shprehur e sigurt në fitoren e zgjedhjeve në 25 prill, ndërsa është shprehur se në PS nuk ka ndarje në Rilindas dhe socialistë.
“Votuesit e PS, ashti, palca e PS nuk ka asnjë dilemë të tillë. Këto janë diversione të dëshpëruara të atyre që kemi përballë, të cilat as po ngjisin dhe as po ndezin. Ne jemi të sigurt për fitoren e 25 prillit, prandaj mundohen të na ndajnë në rilindas dhe socialistë,” tha Spiropali.
Për sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Spiropali tha se PS ka bërë çdo marrëveshje të mundshme me opozitën jashtëparlamentare, por nuk mund t’i durojnë më fyerjet e tyre.
“Boll kemi duruar 4 vite. Durojmë fyerje dhe sërish i presim në Kuvend. Këshilli në mars ka vendosur që të çelim negociatat. Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet që ata na kanë vënë. Ne bëmë ndryshimet kushtetuese për të reflektuar një nevojë shoqërore. Ne kemi bërë një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR,” tha Spiropali në Syri Tv.


