Skualifikimi i Klevis Balliut nga anëtarësia e Partisë Demokratike në Pogradec bëri bujë në opinionin publik, pasi ai ishte një nga ish-deputetët më aktivë të opozitës.
Ai nuk do të ketë mundësi të kandidojë në listat e PD, ndërsa duket se do të jetë pjesëmarrës në zgjedhjet e 25 prillit, pasi sipas deputetit Halit Valteri, Balliu do të kandidojë nën siglën e LSI.
Ka qenë kjo deklarata e fortë e deputetit Valteri, i cili në studion e Report Tv tha se e mendon këtë pasi Balliu më herët ka qenë këshilltar i presidentit Meta.
“Me gjithë respektin për Klevis Balliun mendoj se do gjejë vend tek LSI dhe do të jetë te listat e saj. Do doja që të ishte pasi Klevisi është një politikan i ri dhe punëtor. Ai ka qenë këshilltar i Ilir Metës para se të bëhej deputeti i PD-së”, tha Valteri.
Për sa i përket procesit të PD për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, Valteri tha se kjo është e gjitha një farsë.
“Fakti që u la jashtë nga elektorati i PD nuk dua të përfshihem fare pasi kam qenë vetë tek ajo parti dhe e di si funksionojnë gjërat, Atyre u shkon lista gati nga kryetari. Ky proces është si t’i hedhësh hi syve demokratëve pasi e dimë shumë mirë që në PD vota delegohet nga klanet brenda partisë dhe kush është më afër tyre fiton”, u shpreh deputeti.


