Ditën e sotme në media u publikua një e-mail dërguar Ardi Veliut nga një banore e lagjes “11 nëntori” në Elbasan, e cila kërkonte ndihmë për zgjidhjen e një konflikti me familjen Zhidru, kohë më parë.
Letër ankesa bënte fjalë për shumë shqetësime të banorëve, shqetësime që sipas tyre nuk ishin marrë parasysh nga autoritetet.
Sakaq, ka ardhur dhe reagimi nga Policia e Shtetit, e cila thotë se pas e-mailit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse të cilat e kanë verifikuar dhe zgjidhur problemin.
Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici.
Sqarim i Policisë së Shtetit
Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media se një shtetase nga lagjja “11 Nëntori”, Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:
Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it [email protected], është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.
Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.
Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.
Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm.