Ministrja Elisa Spiropali ka folur për largimin nga detyra si ministre e Arsimit të Besa Shahinit, e cila u zëvendësua ditën e sotme nga deputetja e Elbasanit Evis Kushi.
Spiropali është shprehur se Shahini është paragjykuar nga opozita sepse vinte nga Kosova, por sipas saj zgjedhja e Shahinit si ministre e Arsimit ishte një vendim historik.
Ajo shprehet se edhe nëse “Zoti do të kishte zbritur si ministër, opozita do ta gjente një bisht për ta thirrur Djall”.
Për sa i përket zëvendësimit të saj me Evis Kushin, Spiropali thotë s ekjo ishte zgjedhja më e mirë që mund të bëhet, ndërsa ka shtuar se PS dhe kryeministri Rama meritojnë një mandat të tretë.
“Dëgjojmë shumë fjalë dhe ngrihen shumë flamuj për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, por kur vendosen ministrat kosovarë në qeveri fillojnë racizmi nga opozita. Besën e njoh edhe personalisht, kemi një miqësi që shkon 20 vite, madje edhe më shumë. Ia njoh aftësitë dhe dedikimin dhe ka arritur t’i japë Ministrisë së Arsimit shumë dhe të çojë më tej reformat e qeverisë.
Edhe vetë Zotin të kishim zbritur, do t’i kishin gjetur bisht e do t’i thoshin se është djall. Shahini ishte një zv.ministre shumë e mirë dhe më pas u emërua ministre. Vendimi për zgjedhjen e saj si ministre ishte vendim historik.
Evis Kushi është një deputete e PS, një pedagoge, është një nga zgjedhjet më të mira që mund të bëhet dhe besoj se nuk mund të vihet përballë Besa Shahinit. Është një zgjedhje që i bën nder këtij dikasteri. Nuk mund të them a do ketë ndryshime të tjera në qeveri. Ka një kohë për të gjitha, edhe për ndryshime.
Diskutuam sot se PS meriton një mandat të tretë dhe Edi Rama e meriton të vazhdojë të jetë kryeministër, për të vazhduar reformat tona. Po të krahasohemi me ata ju mund ta shikoni që në bashkitë që ishin në duart e tyre dhe punët që janë bërë nga kryetarët tanë. Mjafton të shohim Kamzën sa shumë është punuar. Ata i pushtojnë bashkitë, ne punojmë.
Ne premtojmë ato që mund të bëjmë. Nëse flisni me mijëra qyetetarë që kanë marrë dëmshpërbilet për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, do të shihni se çfarë pune kanë bërë bashkitë. Puna për rindërtimin po vazhdon. Është një punë e jashtëzakonshme. Shkolla që janë ngritur, shtëpi që janë rindërtuar. Vetëm në Bashkinë Kamëz janë ndërtuar 20 shkolla sipas kushteve të BE. Këto janë miliona lekë të siguruara nga buxheti i shtetit. Projekti i rindërtimit është shumë i madh.”, tha Spiropali në Report Tv.


