Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar largimin nga detyra të Ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Tashmë ajo do të zëvendësohet nga deputetja e PS-së, Evis Kushi.
Gjatë takimit për zëvendësimin e pozicionit, Rama ka shprehur vlerësimet për Shahinin duke shprehur keqardhjen për mbarimin e mandatit. Emri zëvendësues i Shahini u bë i ditur nga Kryeministri Rama ditën e parë të hapjes së shkollave, ku u ndoq një proces aspak i zakonshem me vitet e tjera për shkak të masave anti-covid.
Ndërkohë që Shahini ka thënë se arsyeja e largimit është fakti se e ka të vështirë që të vazhdojë edhe një mandat tjetër larg familjes së saj, që ndodhet në Kosovë.
“E kam të vështirë të vazhdoj edhe një mandat tjetër larg familjes. Kisha fatin të kontribuoj për arsimin në Shqipëri. E paimagjinueshme diskriminimi për shkak të dialektit“, ishin ndër deklaratat kryesore të Besa Shahinit.
Në fjalën e saj, ministrja e re e emëruar, Evisa Kushi tha se pavarësisht punës së deritanishme ka akoma shumë punë për të bërë me arsimin.
“E kam nisur karrierën si pedagoge, pastaj si përgjegjëse e Departamentit dhe pastaj si Dekane. Gjej një rrugë të shtruar tashmë me reforma, por sigurisht ka shumë punë për të bërë. Të falënderoj për gatishmërinë që të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen“, tha Kushi.
Më herët, Besa Shahini kishte lajmëruar se nuk do të ishte pjesë e mandatit të ardhshëm në Ministrinë e Arsimit. Siç duket Shahini nuk ka pritur deri në përfundimin e mandatit dhe ka dhënë dorëheqjen më herët, duke ia lënë stafetën zëvendësueses së saj, deputetes Evis Kushi.
Besa Shahini piu kafen e lamtumirës me kryeministrin Edi Rama dhe pasuesen e saj Evis Kushi dhe deklaroi se po largohej për arsye familjare.


