Ndonëse na ndajnë edhe rreth 8 muaj nga zgjedhjet parlamentare, opozita e bashkuar duket se mezi po e pret këtë datë.
E mobilizuar dhe më optimiste se kurrë për të ardhur në pushtet, PD-ja e Lulzim Bashës ka nisur “kandaunin” apo numërimin mbrapsht.
Ndonëse ka rreth dy vite jashtë Parlamentit, Partia Demokratike, tashmë e deklaruar krahë LSI-së dhe pjesës tjetër të partive opozitare e sheh të sigurtë fitoren në zgjedhjet e 25 prillit, optimizëm që reflektohet edhe në rrjetet sociale, ku anëtarë të kësaj force politike tashmë kanë nisur të numërojnë ditët.
Nga ana tjetër, po aq i sigurtë është edhe kryeministri Edi Rama, i cili pak ditë më parë tha se shqiptarët nuk kanë alternativë më të mirë përveç PS-së.
Surprizë në këto zgjedhje pritet të jetë pozicioni i partisë së re të Rudina Hajdarit me nismën Thurrje dhe partisë që do të formojë Myslim Murrizi me pjesën tjetër të deputetëve opozitarë.