Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PS. Kryeministri Edi Rama do të jetë përkohësisht drejtues politik i Durrësit. Është vendosur gjithashtu se Asambleja Kombëtare e PS-së do të mbahet në datën 4 shtator.
Kryeministri Rama mban fjalën e tij para Grupit Parlamentar.
“Në sesionin e kaluar parlamentar na u desh të përballemi me një tërmet shkatërrues dhe një pandemi globale, a thua se nuk na dilnin sfidat e qeverisë për ta çuar Shqipërinë në një lartësi të re”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në përfundim të takimit me deputetët socialistë në Elbasan.
Rama tha se deputetët duhet të reflektojnë thellë por shpejt sa i përket përpjekjes si skuadër për ta merituar mandatin e tretë.
“Mandati i tretë do të ndodhë për herë të parë në historinë e Partisë Socialiste dhe Shqipërisë pluraliste. Shumica e shqiptarëve e kanë të qartë që nuk e kanë sot për sot një kryeministër më të mirë. Por a mund të jem unë më i miri për ta? Po ju si deputetë a jeni më të mirët për shqiptarët? Ata e dinë se sot nuk kanë altenrativë më të mirë” – tha Rama.
Ai shtoi se mund t’ua provojë shqiptarëve se nuk i mungon ambicia, vullneti dhe dëshira për të bërë më shumë për ta.


