Detaje të reja janë bërë me dije nga operacioni blic i ditës së sotme në Peqin e Elbasan, ku u angazhuan forcat ‘Shqiponja’, RENEA dhe FNSH.
Është vënë në pranga 35-vjeçari Selim (Seit) Manehasa, pronar i një pike për tregtimin e makinave, si dhe vëllai i tij Ymer Manehasa.
Vëllezërit Manehasa mendohet se kanë dijeni dhe mund të jenë të përfshirë në ngjarjet e fundit kriminale në qytetin e Elbasanit, ku para 1 jave mbeti i vrarë pranë banesës së tij 39-vjeçari Emiljano Ramazani, i njohur ndryshe si “Rrahmani”. Pista kryesore e ekzekutimit mbetet ajo e prishjes së pazareve të drogës.
Viktima ishte person me precedentë të mëparshëm penal dhe merrej me shpërndarje lëndësh narkotike, kryesisht kokainë.
Në automjetin e Selim Manehasës u gjet një armë që pas ekzaminimit nga ekspertët hetimorë do të mund të shihet nëse është përdorur në ndonjë nga ngjarjet e fundit kriminale.
Ai në fillim i bëri rezistëncë policisë, por kjo “aventurë” zgjati vetëm pak, pasi u kap dhe u prangos.


