Një grabitje me dhunë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e çiftit Dulja, ku autorët kanë arritur të marrin disa bizhuteri floriri dhe një sasi lekësh. Gjithë skema ka ndodhur për 5 minuta, ku duke shfrytëzuar faktin se çifti ka fëmijët jashtë shtetit dhe kanë qenë të vetëm, 6 të rinj u kanë shkuar në shtëpi për të marrë sendet me vlerë.
“Ishte ora 11: 00 duke pare televizor, trokit dera e shtëpisë. Dolëm te dera, bërtisnin hapni derën dhe ne nuk e hapëm. Ia futi një emër koti, e dëgjova në zë që nuk është ai emër, se s’kishte lidhje me mua ai më dhe filluan t’i binin derës me shkelma. Ishin 5-6 veta, dera u hap, u futën brenda, dy kapën gruan, dy mua dhe të tjerët kontrolluan në shpi, na rrahën se ne bëmë një çfarë rezistence se të futet njeriu në shpi, unë i rashë atij, ai mua. Morën ça kishin për të marrë dhe ikën. Bashkëshortes i kanë thyer dy brinjë dhe gishtin. Nuk e dimë sa kanë marrë, disa varëse, byzylykë të gruas dhe vajzave. Erdhi policia, i morëm me celularin e komshijes”, tregon i zoti i shtëpisë, Rrahman Dulja.
Referuar burimeve zyrtare nga policia e Peshkopisë, mësohet se 200 m larg vendit të ngjarjes është gjetur një makinë, e cila u përkiste grabitësve e ndërsa janë gjetur edhe ky kuti të bizhuterive boshe. Çifti nuk ka dyshime për persona të caktuar, por kërkojnë nga autoritetet që të zbardhet sa më shpejt ngjarja.


