Fisnik Kajolli dhe Migena Kajolli edhe pse të papunë bënin një jetë luksoze. 34-vjecari dhe gruaja e tij 27 vjec nga fshati Dermenas i Fierit mashtronin persona të ndryshëm duke u premtuar punë. Por rasti që i bërë ata të pasur ishte mashtrimi i motër e vëlla për t’i bërë aksionerë në një kompani hidrokarburesh.
Motër e vëlla sapo ishin kthyer nga emigracioni dhe po kërkonin një formë të sigurt për të vënë në punë paratë e tyre. Në gjurmë të tyre ka rënë çifti Kajolli, të cilët iu kanë dalë garant dy familjarëve se do t’i bënin aksionerë në një prej kompanive më të mëdha të naftës, emri i së cilës nuk është bërë i ditur.
“Çifti Kajolli u kanë marrë shtetasve F.H. dhe N.H., motër e vëlla me njëri-tjetrin, shumën prej 35 mijë euro dhe rreth 96 milionë lekë të vjetra, të ndara në dy këste, duke nënshkruar disa akte noteriale, ku u thoshin se nëse nuk do të kryhej bashkëpunimi i nisur, shuma e lekëve do t’u kthehej mbrapsht.
Pasi kanë pritur gjatë dhe kontrata për t’u bërë aksionerë nuk po firmosej, dhe njëherazi kontakti me çiftin po bëhej i pamundur, atëherë motër e vëlla i janë drejtuar Prokurorisë. Pas kësaj, prokurori i çështjes, Çlirim Sino, ka zbuluar se skema e mashtrimit kishte kapur në grackë shumë shtetas, të cilëve u janë marrë sasi të ndryshme parash.
Burimet tregojnë se dy të ndaluarit kanë kryer mashtrime edhe gjatë muajve shkurt dhe mars 2018, kur ata ishin në hetim për shkak të denoncimeve të kryera më parë nga persona të tjerë të mashtruar. Gjithashtu, rezultoi se ata kishin mashtruar një numër të konsiderueshëm personash, ku denoncimet e shumta në Polici çuan në arrestimin e bashkëshortëve Kajolli.
Denoncuesit i kanë çuar Policisë edhe mesazhet që kishin shkëmbyer me çiftin. Është konstatuar se bashkëshortët Kajolli bënin jetë pasanikësh dhe se drekonin dhe darkonin në restorante. Po ashtu, ata shpenzonin shuma të konsiderueshme parash nëpër shtete të tjera apo për sende me vlerë si automjete dhe bizhuteri. Çifti ka dy fëmijë të mitur. Në ngarkim të tyre, materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Mashtrimi i kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda”.



