90 KZAZ-të po shpërndajnë materialet zgjedhore drejt 5417 Qendrave të Votimit në të gjithë Shqipërinë. Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka përfunduar nga 53 KZAZ, ndërkohë të gjithë KZAZ-të e tjera janë drejt përfundimit të këtij procesi.
Përjashtim bën KZAZ numër 6 në Vaun e Dejës, tha zëdhënsja e KQZ-së, ku për shkaqe tashmë të njohura, materialet zgjedhore u ridërguan në orët e para të ditës së sotme çka diktoi vonesën në nisjen e procesit të shpërndarjes së bazës materiale për 53 qendra të votimit të kësaj KZAZ-je.
Ora 20:34 Mbërrijnë materialet zgjedhore në KZAZ nr 6 në Vaun e Dejës.
Ora 20:32 Hapet qendra e votimit që kishte mbyllur bashkia e Pogradecit.
Ora 20:30 Hapet me forcë dera e shkollës 9 -vjeçare “Ali Lacej”në Shkodër.
Ora 20:19 Materialet zgjedhore kanë mbërritur pranë Pallatit të Kulturës në Pogradec, të shoqëruar nga forca policie. KZAZ-ja ka njoftuar se do të hapet së shpejti kjo qendër.
Ora 20:12 KZAZ-ja në Vaun e Dejës zhvendoset në një lokal dasmash
Gazetari Elio Laze raporton se KZAZ – ja që u dogj në Vaun e Dejës është vendosur në një lokal dasmash të zonës.Dy ditë më parë KZAZ 6 u dogj nga persona të paidentifikuar. Qeveria e akuzoi opozitën, ndërsa kjo e fundit tha se djegia ishte skenar i Edi Ramës.
Ora 20:00 Në KZAZ Kukës ka përfunduar shpërndarja e gjithë materialeve zgjedhore për në Qendrat e Votimit.
Ora 19:49 Rihapen 23 shkollat në Mallakastër, në fshatin Graçie tërhiqen komisionerët
Në Mallakastër janë rihapur 23 shkollat e mbyllura, duke u shpërndarë edhe materialet zgjedhore në të gjitha qendrat. Gazetarja Nertila Dosti raporton se vetem në fshatin Graçie janë tërhequr komisionerët dhe nuk janë shperndarë materialet zgjedhore.
Ora 19:24 Përfaqësues të OSBE/ODIHR ndjekin nga afër situatën në Shkodër
Ora 19:14 Vijon dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ 67 në Pogradec
Ora 19:00 Denoncimi i drejtorit: Shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër i është ndërruar brava
Drejtori i Shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër ka denoncuar ndërrimin e bravës të derës hyrëse të këtij institucioni. Për RTV Ora, drejtori i shkollës. Zt.Dritan Gega tha se persona të paidentifikuar kanë ndërruar bravën e shkollës.
Ora 18:58 Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Qendrat e Votimit në Vlorë
Ora 18:52 KQZ apel kryebashkiakes së Shkodrës për bashkëpunim: Liro qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, të bashkëpunojë dhe të lirojë qendrat e votimet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Zëdhënësja për mediat e KQZ, Drilona Hoxhaj, i kujtoi Ademit nenet në kodin penal që e konsiderojnë këtë lloj pengese vepër penale.
Ora 18:41 Shkodër, hapet me forcë dera e shkollës “Edit Durham”
Ora 18:31 Nuk hapet dera e shkollës “Jordan Misja”
Materialet zgjedhore kthehen mbrapsht nga shkolla “Jordan Misja”, pasi nuk u bë e mundur hapja e derës së shkollës. Materialet zgjedhore do të transferohen në një vend tjetër.
Ora 18:12 Shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në Kukës
Në KZAZ nr 11 në Kukës vijon shpërndarja e materialeve zgjedhore, për në qendrat e votimit. Procesi i shpërndarjes së materialeve është drejt fundit. Me heret janë shpërndarë në zonat dhe fshatrat përreth, ndërsa tani po shpërndahen në zonën e qytetit. Në Kukës ka 1 KZAZ dhe 88 qendra votimi. Votues në këtë qark janë 44 962 votues. Shpërndarja e materialeve është kryer pa probleme nëpër qendrat e votimit.
Ora 17:52 Kërkohet hapja e derës së shkollës “Jordan Misja” në Shkodër
Në KZAZ nr 4, shkolla “Jordan Misja” në Shkodër kanë mbërritur materialet zgjedhore nga KQZ. Dera e shkollës është e mbyllur dhe pritet hapja me forcë. Në shkollë ka mbërritur dhe policia e shtetit.
Roja i shkollës nuk ka çelësin e zinxhirit. Policia po raporton dhe kërkon informacion si do të procedohet.
Bashkia Shkodër nuk ka asnjë vendim që i është paraqitur zyrtarisht, pavarësisht paligjshmërisë.
Ora 17:50 Mbyllet pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore në Elbasan
Ështe mbyllur pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ në qendrat e votimit në qarkun e Elbasanit. Në total ne Elbasan janë 10 KZAZ. 4 prej tyre i takojne bashkise Elbasan përkatësisht ato me nr 47, 48, 49 dhe 50 dhe 6 të tjera i takojne bashkive Prrenjas, Librazhd, Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin. Në total numri i votuesve në qarkun e Elbasanit është 343 258 votues të cilët do të votojnë në 2800 qendra votimi. Ndërkohë vetëm në bashkinë Elbasan numërohen 166.538 zgjedhës dhe 235 qendra votimi.
17:48 Shpërndahen materialet zgjedhore në Fier
Në bashkitë Fier, Patos, Roskovec dhe Ballsh, perfundon procesi i shpërndarjes se materialeve zgjedhore nga të 5 KZAZ- t në drejtim të Qendrave të Votimit. Procesi nuk ka shënuar asnjë problematike. Ka qenë i qetë dhe normal. Policia e Shtetit është në gatishmëri për garantimin e procesit zgjedhor, rendit dhe qetësisë.
Ora 17:26 Pas tensioneve dhe përplasjeve të një dite më parë, në orët e pasdites së sotme ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ numër 19 në Dibër. Sipas kryetarit të KZAZ-së 19, Agron Cara, çdo gjë ka kaluar sipas rregullave. Aktualisht vetëm Peshkopia dhe njësia administrative Tomin janë pa materiale zgjedhore, por sipas Carës procesi do të mbyllet brenda 2 orësh.
Ora 17:11 Thyhet urdhri i Ademit, nis hapja e shkollave në Shkodër për zgjedhjet
Ora 17:05 Përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha Qendrat e Votimit të bashkisë së Devollit. Procesi ka qenë normal dhe pa incidente.
Rreth orës 16:21, në Shkodër ka vijuar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga shkolla profesionale “Arben Broci”.
Në Gjirokastër, rreth orës 16:00 janë shpërndarë materialet zgjedhore në KZAZ 78. Sipas kreut të KZAZ, Roland Skendo asnjë qendër deri me tani nuk ka njoftuar per bojkot.
Bashkitë e djathta kyçin shkollat, në bashkitë e majta ndahen materialet zgjedhore
Bashkitë e Shkodrës, Mallakastrës dhe Pogradecit mbyllën shkollat e kopshtet e përcaktuara si qendra votimi për 30 qershorin, në vijimësi të qëndrimit se ata do të zbatojnë dekretin e presidentit që e ka anuluar procesin. Por këto veprime u kushtoi arrestimin 4 punonjësve të bashkive Pogradec e Mallakastër, ndërsa nënkryetari i kësaj njësie vendore u shpall në kërkim. Ndërkohë në bashkitë e majta nisi shpërndarja e materialit zgjedhor.
Në Mallakastër, nënkryetari i Bashkisë Haredin Serjani është shpallur në kërkim, ndërsa dy punonjës të njësisë vendore dhe roja i një shkolle janë arrestuar.
Bashkë me Dervish Dervishaj, Erjon Isufaj, dhe Nimet Kapaj, Ai akuzohet se ka mbyllur 2 shkolla në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë.
Ne Pogradec- Me të njejtën akuzë në pranga u vunë edhe dy punonës të Arsimit të Bashkisë të cilët mbyllën katër shkolla të përcaktuara për qendra Votimi.
Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të punonjësve që sipas tij bënë vetëm detyrën, kryebashkiaku i Pogradecit u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin situatat konfliktuale
Ne Shkoder – Të kycura me zinxhirë këtë të shtunë ishin edhe shumica e institucioneve nën varësinë e Bashkisë e cila më herët ka deklaruar se nuk do të ofrojë asnjë ambient për procesin që e cilëson të paligjshëm pas dekretit të presidentit.
Ne bashkite e majta- Nga ana tjetër, në bashkitë e drejtuar nga të Majtët që në orët e mesditës nisi procesi i shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore nga KZAZ-të drejt Qendrave të Votimit që do të hapen të dielën në orën 07:00 të mëngjesit.
Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore u ndoq edhe nga vëzhgues të OSBE dhe organizmave të tjerë të angazhuar në monitorimin e votimeve të 30 qershorit.
Në Korçë – Nis shpërndarja e materialeve të zgjedhjore në KZAZ-në numër 74. Procesi vijon normalisht.
Në Sarandë – Ka nisur shpërndarja e materialeve të zgjedhore në KZAZ-në numër 88 për 51 qendra votimi.




