Kandidatja e Bindjes Demokratike për bashkinë Vlorë, Valbona Mezini ka falënderuar të gjithë vlonjatët që sipas saj po e mbështesin në këtë garë. Ajo thekson se së bashku do i japim Vlorës fytyrën që ajo meriton.
“Nga zemra falënderoj të gjithë miqtë virtualë nga qytete të ndryshme dhe sidomos vlonjatët, që më kontaktojnë në inbox duke më ofruar ndihmën dhe mbështetjen e tyre gjatë kandidimit tim në qytetin e Vlorës për Kryetar të Bashkisë së qytetit. Janë shumë dhe veç e veç e kam të pamundur t’i falënderoj. Ndaj po ndaj publikisht këtë mesazh duke dashur të kategorizoj mirënjohjen time për secilin prej jush … Së bashku do t’ i japim Vlorës fytyrën që ajo meriton!”, shprehet ajo në Facebook.
Theksojmë se deri më tani 3 kandidatë të Bindjes Demokratike për kryetar bashkie kanë dhënë dorëheqjen. Tre kandidatët e Bindjes Demokratike të cilët janë tërhequr nga gara janë Bledar Sinella, kandidat për bashkinë Kavajë, Dejvis Hebibasi kandidat në bashkinë Skrapar dhe Salvador Kaçaj, kandidat për bashkinë Lezhë


