Këto janë një pjesë e eurove të sekuestruara nga policia në portin e Durrësit. Siç shihet në këtë foto, shumica e parave janë prerje 50 euroshe, por mes tyre ka dhe prerje 100-she dhe 20-tëshe.
Numërimi ka përfunduar dhe sipas policisë në mjetin Toyota Yaris janë gjetur 3,4 milion Euro. Prokuroria dhe policia janë tepër të rezervuara në dhënien e informacionit, teksa hetimet vijojnë intensivisht.
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga zbulimi i sasisë rekord të eurove, të sekuestruara ndonjëherë në Shqipëri, policia nuk ka ende një reagim zyrtar. Por mësohet se një person i katër ka përfunduar në pranga. Ai është Alban Mollaymeri, i cili dyshohet se është personi, që kishte porositur makinat ku u gjetën paratë.
Një ditë më parë u arrestuan edhe pronari i kamionit, që po transportonte mjetet, Edi Lika, djali i tij Klevisi dhe shoferin 61-vjeçar i kamionit Agim Çeka.
Që të katërt kanë mohuar të kenë lidhje me paratë, por kanë pranuar se kanë bërë transportin apo porosinë e makinave, të cilat sipas tyre, janë marrë në Belgjikë.
Hetuesit shqiptare po bashkëpunojnë edhe me partnerët ndërkombëtarë për të marrë në pyetje edhe koncesionarin, apo personin që i ka shitur makinat ku u gjetën paratë.
Grupi hetimor ka dyshime se pas 3.4 milionë eurove qëndron një grup i strukturuar kriminal dhe po punohet për identifikimin e pjesëtarëve.
Dyshimet janë se kjo shumë vjen nga aktivitete kriminale, kryesisht ai i trafikut të drogës.


